Hoxhaj në Sllovaki, Ballkani të përfitoj në rrugën drejt BE-së nga modeli i bashkëpunimit të vendeve të Vishegradit

 
Hoxhaj ka marrë pjesë në konferencën e përbashkët të ministrave të jashtëm të katër vendeve të Vishegradit dhe të Ballkanit Perëndimor, përfshirë pjesëmarrjen e shefes së re të Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.
 
Pjesëmarrësit kanë diskutuar për temën qendrore të integrimeve evropiane të Ballkanit përfshirë sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë ekonomike dhe bashkëpunimin rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat do të mund të përfitonin shumë edhe nga shembulli i grupit të Vishegradit ku bëjnë pjesë Sllovakia, Hungaria, Polonia dhe Çekia. 
 
Ministri Hoxhaj në fjalimin e tij ka thënë se është e vërtetë që krahasuar me dhjetë vjetët e fundit gjendja ka ndryshuar shumë në Ballkan, por ende mbetet shumë për të bërë jo vetëm në rrafshin ekonomik por edhe atë politik.
 
Si shembull ka sjell dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke përmendur pesë hapat që duhet ndjekur për ta përmbyllur me Traktatin e Paqes, ndërsa e ka vlerësuar më se frytdhënëse konferencën në Bratislavë të Sllovakisë. 
 
“Kjo është vizita ime e tretë në Sllovaki ku gjatë ditës së sotme kam marrë pjesë në një konferencë të përbashkët të vendeve të Vishegradit që përfshijnë Sllovakinë, Hungarinë, Poloninë dhe Çekinë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Temë qendrore ka qenë agjenda e integrimeve evropiane për Ballkanin dhe se si këto vende, konkretisht se si edhe vendi ynë Kosova të ketë mbështetje nga këto vende anëtare të BE-së në agjendën e saj integruese”, ka thënë Hoxhaj. 
 
Konferenca është vazhdimësi e shumë nismave rajonale të zhvilluar gjatë vitit 2014 ku në fokus ka qenë Ballkani Perëndimor dhe bashkëpunimi ndërmjet këtyre vendeve në mënyrë që ta përshpejtojnë integrimin evropian. 
 
Pas përgatitjeve të javëve të fundit dhe diskutimeve është arritur të themelohet edhe Fondi për Ballkanin Perëndimor i cili do ta ketë selinë në Tiranë dhe fondi do të shërbejë për dhënien e granteve për projekte të ndryshme të shoqërisë civile.
 
Në vizitën e tretë në Sllovaki, ministri Hoxhaj ka dhënë edhe disa intervista për mediet e interesuara sllovake.

SHKARKO APP