Hoxhaj: Presim lajme të mira për Kosovën
Dubrovnik, 27 gusht 2016. Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj gjatë pjesëmarrjes në Forumin e Dubrovnikut, ka zhvilluar edhe një sërë takimesh bilaterale me homologë të vendeve të rajonit, si dhe përfaqësues të SHBA-së dhe vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën.
Në takimin me ministrin e jashtëm kroat, Miro Kovać, Hoxhaj ka kërkuar përkrahjen e Kroacisë në procesin e liberalizimit të vizave, si dhe nevojën e intensifikimit të marrëdhënieve bilaterale në shumë fusha.
Hoxhaj është shprehur për një rol më të madh të Kroacisë në rajon si shtet anëtar i BE-së.
Një takim tjetër, Hoxhaj e ka zhvilluar edhe me ministrin e jashtëm të Hungarisë, Péter Szijjártó, me të cilin kanë diskutuar për një sërë çështjesh dhe përkrahjen në procesin e liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës.
“Takime shumë përmbajtësore që rikonfirmuan edhe njëherë miqësinë dhe përkrahjen e parezervë që kemi nga Kroacia dhe Hungaria. Kërkova mbështetjen e tyre në procesin e liberalizimit të vizave dhe për një sërë çështjesh tjera të karakterit bilateral. Jam shumë optimist për një fundvit të lajmeve të mira” ka thënë Hoxhaj.
Hoxhaj ka takuar edhe ndihmës asistentin e Sekretarit të Shtetit, Hoyt Yee, me të cilin është rikonfirmuar mbështetja amerikane në agjendën e njohjeve dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Takime të ndara, ministri Hoxhaj ka zhvilluar edhe me ministrin e jashtëm të Bosnjë dhe Hercegovinës, Igor Crnadak dhe zëvendësministrin e jashtëm grek, Dimitris Mardas me të cilët ka diskutuar për intensifikimin e bashkëpunimit institucional.
Kryediplomati Hoxhaj ka marrë pjesë në Forumin tradicional të Dubrovnikut, ku pos takimeve ka mbajtur edhe një ligjeratë në panelin “Sfidat gjeopolitike”.