Human Rights Watch: Gjyqi ndaj UÇK-së i hap rrugë drejtësisë
Fillimin e gjyqit në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, organizata Human Rights Watch e konsideron si përparim të shumëpritur. Një raport i publikuar së fundi shpreson për vendosjen e drejtësisë në lidhje me shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut, të ligjit humanitar, si dhe të ligjeve të luftës në Kosovë.
Përparim i shumëpritur për vendosjen e drejtësisë në lidhje me shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut, të ligjit humanitar, si dhe të ligjeve të luftës në Kosovë, e vlerëson organizata për të drejtat e njeriut Human Rights Watch, marrjen si të pandehur të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe drejtuesve të tjetër të UÇK-së.
Në raport përmenden disa kampe të kontaminuara për të zhvendosurit në veri të Kosovës, të udhëhequra nga Misioni i Përkohshëm i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.
“Paneli Këshillëdhënës i të Drejtave të Njeriut, ka gjetur në vitin 2016 shkelje kundër anëtarëve të komuniteteve të zhvendosura dhe ka kërkuar që Kombet e Bashkuara të paguajnë kompensim individual dhe t’iu kërkojnë falje viktimave. Kombet e Bashkuara nuk e kanë bërë asnjërën”, nënvizon raporti.
Viktimat janë anëtarë të zhvendosur të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Raporti vë theksin te një anketë e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim – e realizuar në muajin janar – që konstatoi se shumica e pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë përballen me papunësi të lartë, strehim të dobët dhe diskriminim, sidomos gratë.
Raporti përmend edhe nisjen e gjyqit, në muajin shkurt, kundër gjashtë të pandehurve, të akuzuar për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviç.
Organizata Human Rights Watch i bën thirrje presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, që ta forcojë përkushtimin e SHBA-së për të drejtat e njeriut dhe nënvizon se presidenti në largim, Donald Trump, ju shmang këtyre përgjegjësive për katër vjet.
Administrata Trump ka qenë “katastrofë për të drejtat e njeriut” si në SHBA, ashtu dhe jashtë saj, shkruan drejtori ekzekutiv i organizatës, Kenneth Roth, në hyrje të raportit.