Hyseni: Në Prishtinë do kryhej një akt i pastër terrorist

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Skënder Hyseni ka thënë se policia përmes rrugëve operacionale kishte marrë informacionin se një person në bagazhin e makinës kishte eksploziv.

Hyseni ka dalë sot në një konferencë për median, ku ka folur për parandalimin e një akti terrorist.

“Rreth orës 21:00 policia ka ndaluar dhe arrestuar drejtuesin e kësaj makine. Vetura drejtohej nga qytetari serb, Gavriç Slobodan, i lindur e rritur në Serbi. Policët kanë gjetur afro 13 kilogram ekskploziv” ka thënë Hyseni.

Ministri i Brendshëm tha se serbi i arrestuar ka pasur qëllime të qarta të kryerjes së një sulmi terrorist.

“Nuk mund të nxjerrim detaje, por biografia e tij do të zbulohet deri në fund. Është interes i yni të hetohet ky rast deri në fund me gjithë kompleksitetin që ka” ka thënë ministri kosovar.

I pyetur nëse autoritetet kosovare janë duke bashkëpunuar me ato serbe, Hyseni ka thënë se po bëhen përpjekje të tilla.

“Megjithë pengesat eventuale ne po bëjmë përpjekje që të bashkëpunojmë në këtë rast dhe rastet e ndryshme me fqinjët. Krimi i organizuar është fenomen ndërkombëtar” ka theksuar ai.

I pyetur se si i dyshuari ka kaluar me eksploziv nëpër kufi, Ministri Hyseni se “tani për tani nuk mund të japim informacione”.

Ai nuk ka komentuar nëse AKI ka qenë e përfshirë në dhënien e informacionit, Hyseni ka thënë se kjo është punë e policisë.

“Do të ishte joprofesionale nëse tregojmë nga vijnë informacionet”./express/

SHKARKO APP