I dënuari me 25 vite burg për vrasje dhe i arratisur 7 herë kërkon të shkollohet

Placeholder Image

Faton Hajrizi kur kishte vetëm 15 vjeç ka vrarë një ushtar rus në Kosovë, duke e qëlluar me armën e tij.

Kishte shpjeguar se vrasja kishte ndodhur pasi të njëjtin e dëgjoi duke folur në gjuhën serbe, ndërsa, kishte shkuar për ta falënderuar me idenë se është ushtar amerikan.

Për këtë dhe krime tjera, tash 35 vjeçari nga Skenderaj është i dënuar me 25 vite burgim.

Tash, Faton Hajrizi ka nisur të mendojë për shkollim.

Kërkesën për shkollim e ka drejtuar në Ministrinë e Drejtësisë.

Ministri Abelard Tahiri është i njoftuar me këtë rast të cilit ende s’ka përgjigje.

Ndërsa familja e Fatonit, kanë angazhuar një avokat për këtë kërkesë.

Avokati Gëzim Kollçaku thotë se ka dërguar edhe një urgjencë për këtë çështje duke qenë se shtatori po afrohet.

Sipas Kollçakut, Fatoni e meriton të aprovohet kërkesa e tij, pasi që i njëjti nuk ka pasur vërejtje.

Mirëpo për t’u realizuar kjo kërkesë, Faton Hajrizi duhet të transferohet nga Burgu i Sigurisë së Lartë në Burgun e Dubravës, vend nga i cili kishte ikur disa herë.

Në bazë të nenit 83,  të Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, personi i dënuar ka të drejtë në shkollim fillor dhe të mesëm në pajtim me ligjin për arsimin fillor dhe të mesëm.

Ndërsa sipas ligjit për arsim, secili person gëzon të drejtën e shkollimit themelor.

Hajrizi ishte arratisur nga burgu për herë të parë në vitin 2000 por më pas veprimin e njëjtë e kishte përsëritur edhe 6 herë tjera, shkruan televizioni “T7”

SHKARKO APP