I dërguari i DASH për Ballkanin Perëndimor: SHBA-ja e dëshiron në BE
Zv/ndihmës Sekretari për Çështje të Evropës dhe Euroazisë në Departamentin amerikan të Shtetit, njëherësh i dërguar i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, thotë se SHBA-ja vazhdon ta ketë si politikë kryesore ndaj Ballkanit Perëndimor mbështetjen e këtyre vendeve për integrim në BE.
Sipas ”Radio Europa e Lirë”, Escobar thekson se qasja e administratës amerikane ndaj rajonit nuk ka ndryshuar dhe kjo është Integrimi Europian i këtyre vendeve.
”Administrata e re do te fokusohet shumë në mesazhin që rajoni duhet të jetë pjesë e BE-së, të bëjë reformat e nevojshme për këtë. Ne shohim mundësi të jashtëzakonshme ekonomike të rajonit. Ne do të mbështesim përpjekjet e dialogut të BE-së për Serbinë dhe Kosovën për të zhvilluar marrëdhënie më të ngushta dhe pastaj për të hyrë së bashku në BE. Qëllimi nuk është vetëm njohja e ndërsjellë (Kosovë-Serbi) por edhe integrimi në BE-së. Rajoni duhet të jetë në paqe i plotë dhe pjesë e BE-së”.
Diplomati amerikan tha se Departamenti i Shtetit përmes ambasadave në Kosovë dhe Serbi, do të punojë që të dyja vendet të zbatojnë marrëveshjet që janë arritur në Bruksel dhe të sigurohen se liderët e orientojnë energjinë në dialog dhe jo t’i shmangen atij.
Edhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak foli për fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe SHBA-së në raport me dialogun Kosovë-Serbi.