I dërguari i Trump takohet me Kurtin dhe Mustafën, një mesazh për Serbinë
I dërguari i Posaçëm i presidentit Donald Trump, për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka zhvilluar sot takim me Liderin e Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe me atë të LDK-së, Isa Mustafa.
Pas takimit me Kurtin, Grenell u shpreh për gazetarët se ka inkurajuar liderin e VV-së të ndjekë rregullat që të gjithë kanë bërë në përpjekje për të tejkaluar problemet për koalicion.
”Ishte kënaqësi ta takoja përsëri Albin Kurtin. Çështja për formimin e Qeverisë, nuk është çështje e imja. I tregova Albin Kurtit që edhe Britania e Madhe dhe Gjermania kishin telashe për lidhjen e koalicioneve për formimin e Qeverisë. Unë thash që ne ju shikojmë dhe shohim se çfarë po ndodh – unë i inkurajoj që të ndjekin rregullat që të gjithë i kanë bërë dhe të shohin vendet e tjera”, tha Grenell.
Diplomati amerikan u ndal dhe tek çështja e tarifës ndaj produkteve serbe në Kosovë, duke thënë se ajo duhet të hiqet por në të njejtën kohë duhet ti jepet fund sipas tij fushatës për tërheqjen e njohjeve të Kosovës nga Serbia
”Jam duke u munduar që të injorojë përplasjet politike dhe të koncentrohem në rritje ekonomike dhe për këtë kam kërkuar nga Albin Kurti dhe do të kërkojë edhe nga politikanët tjerë që është shumë e rëndësishme që të vazhdojmë tutje në zhvillim ekonomik që tarifa 100 për qind të hiqet. Kjo është një gjë që duhet të largohet në të njejtën kohë fushata për tërheqje të njohjeve nga Serbia duhet të ndalet. Unë do ta përcjellë të njëjtin mesazh edhe në Beograd. Ky është mesazhi që e mbajë këtu sot edhe në Serbi”, shtoi Grenell.
Pas këtij takimi ai u nis për në selinë e LDK-së ku mbërriti rreth 30 minuta orarit që ishte parashikuar takimi.
Ambasadori Grenell filloi vizitën në rajon dy ditë pasi bashkë më këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien, ndërmjetësoi një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për rihapjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd, në një përpjekje për përmirësimin e lidhjeve ekonomike midis dy vendeve. Ditën e djeshme ai zhvilloi një takim me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi ku deklaroi se nuk do të ndërhyjë në debatet e brendshme politike për formimin e qeverisë së Kosovës.