I dha ISIS dokumenta të ushtrisë amerikane, hakeri kosovar rrezikon 35 vjet burg

Hakeri shqiptar, Ardit Ferizi, i cili po akuzohet se ka vjedhur të dhënat personale, emrat dhe adresat, e pjestarëve të ushtrisë amerikane dhe ia ka dhënë grupit militant të Shtetit Islamik, rrezikon 35 vite burg.

Ferizi ka dalë dje para gjykatës amerikane ku po përballet me akuza për terrorizëm.

Ferizi, 20 vjeçar, student nga Kosova që ka studiuar në Malajzi, ka dalë para një gjykate në Alexandria të Virginias.

Prokurorët thonë se kosovari është futur në databazën e ushtrisë amerikane vitin e kaluar, ku ka vjedhur dhe ia ka dërguar ISIS-it rreth 1.300 dokumente.

Këto dokumente përveç që janë pronë e ushtrisë amerikane, aty janë të përfshira edhe të dhënat e disa punonjësve të Qeverisë Amerikane.

ISIS pasi kishte marrë këto të dhëna nga Ferizi, i kishte postuar informacionet online dhe kishte kërcënuar se do t’i sulmojë këta persona.

Në bazë të një flet-arresti të lëshuar nga SHBA-të, Ferizi u arrestua nga autoritetet malajziane në Kuala Lumpur shtatorin e kaluar.

Departamenti i Drejtësisë në SHBA ka kërkuar ekstradimin e tij dhe më pas ai dërgua në SHBA ku dhe po përballet me akuza për terrorizëm.

FBI-ja thotë se Ferizi të dhënat që i ka vjedhur ia ka dërguar një qytetari britanik të quajtur Junaid Hussain, i cili e quan veten Abu Hussain al-Britani.

Al-Britani ishte ai që gushtin e kaluar, i kishte postuar këto të dhëna online.
Hussain është vrarë nga një dron në Siri më 24 gusht.

SHKARKO APP