Imami i Kosovës adhuron Sherihatin

Ish -Imami i Xhamisë së Madhe, Shefqet Krasniqi, që kur u arrestua për terrorizëm,e ka të ndaluar ushtrimin e funksionit si imam. Por, ai nuk po ndalet së publikuari deklarata kontroverse sesi duhet të sillet një mysliman e po ashtu se si duhet ndërtuar shteti ynë në bazë të ligjeve fetare të islamit

“Krejt ata që vjedhin duhet prerë duart, e më pas tu vendosen në muri që ta shohin të gjithë, ashtu siç e thotë Ligji i Sheriatit”. Është ky dënimi që Shefqet Krasniqi thotë se do tu kishte dhënë hajnave në Kosovë, në një nga ligjëratat e tij të publikuara së fundi në rrjete sociale, raporton Gazeta Express.

“Lum bofsha për sheriatin qe ja pret dorën”, vazhdon tutje Krasniqi duke kërkuar edhe që në Kosovë të sillet për zbatim ligji i sheriatit. Madje, thotë se po të ishte pyetur ai, ky ligj moti do kishte zënë vend në Kosovë.

Këto komente ish imami i Xhamisë së Madhe të Prishtinës i ka bërë në një intervistë për radio, pas pyetjes që i bëhet për dukurinë e vjedhjeve.

E sikur të mos i mjaftonin këto nxitje, Krasniqi gjatë këtij ligjërimi bën thirrje edhe kundër shkuarjes për punë në vendet e Perëndimit. Ai e paraqet realitetin e punës në vendet europiane si të tmerrshëm dhe të përvuajtshëm për të gjithë ata që punojnë në vende si Zvicra, Franca, Gjermania etj.

“Lahi-lahi-allah mjeri ai për shpirtin e vet”, thotë nder tjera imami i dyshuar për terrorizëm duke aluduar në shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në këto vende.

Ndryshe, tashmë janë bërë një vit që kur Policia e Kosovës pati arrestuar dy herë radhazi Imamin Shefqet Krasniqin, me pretendimin se e ka cenuar rendin kushtetues, përmes nxitjes së urrejtjes ndër fetare dhe ekstremizmit islam.

Mirëpo, kjo ligjëratë tregon se përkundër përballjes me autoritet kosovare, Krasniqi nuk e ka ndërmend të ndalet, duke e shndërruar veten në recidivist të shkeljes së këtyre ligjeve dhe neneve të garantuara me kushtetutë.

Imami i arrestuar në 17 shtator të vitit të kaluar ishte liruar nga paraburgimi pasi i ishte shqiptuar masa e arrestit shtëpiak. E më vonë edhe kjo masë u ndryshua me detyrim për paraqitje në polici një herë në javë. Atij, po ashtu, i është ndaluar kontakti me persona të caktuar dhe mbajtja e ligjëratave në ambientet e kulteve fetare.

Së fundi Prokuroria Speciale e Kosovës i kishte thënë Gazetës Express se Krasniqi vazhdon të jetë nën hetime dhe shpejt mund të përballet me aktakuzë nga Prokuroria.
“Lënda është në hetime në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, pasi që ende nuk është bërë ekzaminimi i gjithë dokumentacionit, kompjuterëve, CD-ve, etj., të gjetura tek i pandehuri Shefqet Krasniqi” ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Speciale të Kosovës. /GazetaExpress/.

http://www.dailymotion.com/video/x3ockrm_shefqet-krasniqi-flet-me-adhurim-per-denimin-me-prerje-duarsh_news

SHKARKO APP