Investimet gjermane hapin qindra vende pune në Kosovë

Qeveria e Kosovës ka prezantuar të dielën disa projekte të investitorëve potencialë gjermanë, të cilat pritet të finalizohen së shpejti. Vetëm njëri nga këto projekte është bërë e ditur se do të punësojë deri në 800 qytetarë të Kosovës.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, gjatë një konference për media, ka treguar se investimet që do të bëhen në Kosovë, do të gjenerojnë vende të reja të punës.

Disa prej këtyre investimeve që do të bëhen, janë investime gjermane-kosovare, ka shtuar ministri Abrashi.

“Gjatë javës së ardhshme do të promovohen disa projekte të investitorëve gjermanë. Fillimisht, do të mbahen disa panaire të punës, pastaj gjatë javës do të bëhet provimi i një investimi kosovar- gjerman për panele solare”.

“Në fund të muajit të ardhshëm do të jetë një fabrikë për përpunimin e produkteve ushqimore, në Podujevë dhe kemi të bëjmë me punësim e 500 deri në 800 persona në këtë fabrikë. Këto janë lajme të mira për ekonominë, për Kosovën dhe imazhin e saj”, ka thënë Abrashi.

Ai ka treguar se në fabrikën për përpunimin ushqimor që do të bëhet në Podujevë, do të kenë prioritet punësimi gratë, të cilat janë në asistencë sociale.

Po ashtu, ai ka njoftuar se do të mbahen trajnime profesionale për të punësuarit potencial në këtë fabrikë.

Të hyrat nga investimet e huaja në Kosovë, vazhdimisht, janë cilësuar promotor i zhvillimit ekonomik, por që këto investime kishin shënuar rënie ndër vite, si dhe ishin konsideruar të ulëta krahasuar me nevojat që ka Kosova.

Të hyrat vjetore mesatare të investimeve të huaja, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, gjatë periudhës 2009-2013 kanë qenë 400 milionë euro, por, që shënuan rënie në vitin 2014, dhe atë në vetëm 151 milionë euro. Derisa, në vitin 2015 investimet e huaja kanë qenë rreth 320 milionë euro.

Ambasadorja gjermane në Kosovë, Angelika Viets, e pranishme në këtë konferencë për media, ka theksuar se çështja kryesore për Kosovën duhet të jetë zhvillimi ekonomik

Këta investitorë nga Gjermania kanë pasur optimizëm, duhet të punojmë më shumë për angazhimin e diasporës në Kosovës, jam optimiste për kosovarët, ekonomisë dhe qasjen në tregjet e huaja”, ka theksuar ambasadorja gjermane.

Ndërkaq, njëri nga investitorët gjerman, i pranishëm në këtë konferencë për media,Klaus Jurgen Lotz konsideron se në Kosovë duhet të krijohen kushte më të mira për punësim dhe se kjo mund të arrihet përmes një edukimi cilësor.

Ndryshe, papunësia është një nga problemet më të mëdha që ka përcjellë qytetarët e Kosovës që nga paslufta.

Të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të cilat flasin për vitin 2015,tregojnë se niveli i papunësisë në Kosovë ka arritur në 32.9 për qind, raporton REL.

Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 57.7 për qind.

SHKARKO APP