Irritimi i mediave kosovare: “Çmenden” çmimet në bregdetin e Shqipërisë
Bashkë me vapën e korrikut po “çmenden” edhe çmimet në Shqipëri, madje duke ia kaluar Greqisë dhe disa vendeve të BE-së. Për të shuar etjen, një turisti në bregdetin e Shqipërisë i duhet të paguajë për një shishe gjysmëlitërshe me ujë 1.8 euro, ndërsa për të shuar vapën me birrë të shërbyer me gota të vogla plastike në plazhin e Shëngjinit duhen rreth 5.7 euro (pasi një gotë e vogël plastike me birrë kushton 2.85 euro), shkruan gazeta Koha Ditore.
Në mjaft lokale në bregdetin e Shqipërisë që nga veriu, por kryesisht në jugun e këtij vendi, që nga më të thjeshtat, baret deri te restorantet, turistët po përballen me çmime tepër të larta. Dhe çmime marramendëse janë shënuar nga artikujt më të përdorshëm, siç janë uji dhe birrat, deri tek ato më të preferuarat, prodhimet e detit.