Sulme dhe kundërsulme mes kryeministrit Rama dhe liderëve kosovarë
Lideri i LDK në Kosovë, Isa Mustafa iu është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Rama në Ohër për krijimin e shengenit ballkanik, ndërsa ka deklaruar se nuk do të dëshironte të shikonte më askënd duke përjetuar edhe një herë Jugosllavinë.
“Ne që e kemi përjetuar Jugosllavinë nuk dëshirojmë ta përjetojmë edhe njëherë. Edhe atyre që nuk e kanë përjetuar, nuk ua dëshirojmë”, ka thënë Mustafa.
“I kam shprehur qendrimet e mia dhe te LDK-së në postimin tim lidhur Mini-shengenin dhe Mini-jugosllavët”, ka shtuar ai.
Reagimi nga lideri i LDK, parti bashkëqeverisëse me VV e Albin Kurtit, ka ardhur pasi kryeministri Rama sulmoi dhe ironizoi liderët kosovarë nga Ohri kur ishte me presidentin Vuçiç. Rama tha se ‘“Kush flet për Shqipëri të Madhe, kush flet për heqje të kufijve të Kosovës, tani të heshtë. Kush flet për Jugosllavinë, mbase ka jetuar shumë gjatë në Jugosllavi”.
Edi Rama e ka patur mllefin me kryeministrin Haradinaj, me presidentin Thaçi dhe me liderin e LDK, Isa Mustafa.
Kryeministri Haradinaj është shprehur hapur kundër projektit të Vuçiç dhe Ramës për “mini-shengenin ballkanik”. Po dje u shpreh kundër edhe presidenti Thaçi, ndonëse mbetet mik me Ramën dhe Vuçiç.
Kandidati për kryeministër Albin Kurti e ka thënë se ky projekt mbetet projekt serb dhe në interesin e Serbisë.