Isa Mustafa: LDK shkon në opozitë në rast se nuk arrihet marrëveshja me Vetëvendosjen
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa është shprehur se me Vetëvendosjen nuk kanë diskutuar rreth ndarjes së ministrive dhe sipas tij, ministritë nuk do t’i ndajnë sipas fushave të caktuara.
“Nuk kemi biseduar me Vetëvendosjen, unë kam parë deklarata të ndryshme, shkrime të ndryshme se cila ministri duhet t’i takojë cilës parti, por këto janë më tepër çështje dëshirash, sepse duhet të ulemi dhe të mendojmë se duhet ta marrim përgjegjësinë proporcionale dhe nuk do ta parapëlqej një orientim që një parti ta merr një fushë të caktuar dhe partia tjetër fushën e caktuar sepse atëherë bëhen dy qeveri brenda një qeverie. Kësaj sa i përket se kush sa ka kërkuar, nuk kemi të vërteta sepse unë nuk kam kërkuar asnjë ministri nga VV e as VV nuk ka kërkuar”, tha Mustafa në një intervistë për RTV 21.
Më tutje, Mustafa është shprehur se sipas peshës që ka pozita e kryeministrit, LDK-së duhet t’i takojnë më shumë ministri.
“Po tani ashtu duhet të jetë, pasi pozita e kryeministrit peshon më tepër sesa ministritë, por prapë do ta diskutojmë si çështje dhe shohim se si të bëhet ndarja, sepse kemi kryeministrin, zëvendëskryeministrin, meqenëse kemi më pak ministri, kemi nevojë për më pak zëvendësministra. Nuk bëjmë koalicion me PDK-në, e kemi vendim të Këshillit të Përgjithshëm të bëjmë negociata me VV-në, sepse ekziston vullnet i përgjithshëm”, tha Mustafa më tutje.
Ai është shprehur se LDK shkon në opozitë në rast se nuk arrihet marrëveshja me Vetëvendosjen, duke e lënë si mundësi të hapur dështimin e një marrëveshje.
“Nëse nuk arrihet marrëveshja, LDK shkon në opozitë, por në asnjë rast nuk shkon me subjekte të tjera, nuk do të shfrytëzojmë asnjë rrugë tjetër, asnjë koalicion tjetër, nëse gjejmë zgjidhje me Vetëvendosjen. Vet fakti që ne po zhvillojmë negociata, kjo tregon se puna nuk është kryer, mirëpo kur zhvillon negociata atëherë s’mund të shpallësh të kryer punën, sepse njerëzit mund të thonë gjithfarë. Këtu s’mund të ketë fitues, ose dy palët do të jenë fituese, ose nuk do të kemi marrëveshje”, tha Mustafa.
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa tha se Vjosa Osmani për LDK-në është ende kandidate për kryeministre, e jo për ministre të Jashtme.
“Tani zonja Osmani akoma është kandidate për kryeministre, për neve është kandidate për kryeministre. Sepse përderisa nuk përfundon i gjithë procesi, përderisa nuk shpallen të gjitha rezultatet, të mos certifikohen, do të thotë se zonja Osmani mbetet kandidate për kryeministre dhe ne nuk diskutojmë për asnjë pozitë tjetër përderisa kjo të mos përfundojë. Ndërsa sa i përket ministrisë së jashtme, do të thotë ne nuk kemi ndarë ministri, prandaj kërkush nuk mund ta caktojë apriori zonjën Osmani si ministre të punëve të jashtme, përderisa LDK-ja nuk e ka marrë ministrinë e jashtme. A do ta marrim, a s’do ta marrim prapë mbetet çështje që ne do ta vlerësojmë brenda LDK-së dhe partnerin tjetër”, tha Mustafa dhe shtoi se do të jenë të kujdesshëm që Osmani ta merr pozitën e cila asaj i takon si kandidate e LDK-së për kryeministre.
Ndërsa, i pyetur se a e sheh si zëvendëskryeministre, Mustafa tha se duhet të diskutohet brenda partisë.