Isa Mustafa ndihet i fyer nga ndërkombëtarët dhe presidentja
Përgjigja në pyetjen e Zërit rreth spekulimit se është takuar këtyre ditëve me Ambasadoren amerikane, lë të kuptojë se Mustafës i ka ardhur zor pse ndërkombëtarët nuk shkojnë në seancat e parlamentit që koalicioni pas zgjedhor VLAN i thërret.
Kur Mustafa u zgjodh në mënyrë jokushtetuese kryetar i Parlamentit, Ambasada amerikane dhe asnjë zyrtar tjetër i huaj nuk ia uroi postin.Kjo duket se e ka zemëruar kryetarin e LDK-së.
Ndërkaq, në pyetjen se a ka ardhur koha që të ndërmjetësojnë ndërkombëtarët për dalje nga kriza dhe çka ka biseduar në Ambasadën amerikane dhe çka janë marr vesh, Mustafa u përgjigj se ndërkombëtarët, në një mënyrë apo tjetër, janë të kyçur në këtë proces, edhe pse jo me ofrimin e ndonjë modeli apo zgjidhje konkrete. “Jemi dëshmitarë të deklaratave të çdoditshme të tyre. Po ashtu, ata zgjedhin se në cilën seancë do të marrin pjesë e në cilën jo, që flet se nuk janë indiferentë dhe nuk kanë trajtim të njëjtë ndaj të gjitha palëve”.
“Ne kemi kontakte të shpeshta me përfaqësues diplomatikë dhe mund të them kontakte të rregullta me Ambasadën e SHBA-ve. Ne vlerësojmë rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe jemi shumë të interesuar për forcimin e partneritetit edhe në të ardhmen si me SHBA-të ashtu dhe me vendet e Bashkimit Evropian”, është përgjigjur Mustafa.
“Në asnjë rast nuk kemi pasur kërkesë apo adresim të ndërkombëtarëve për një model të koalicionit. Ndërkombëtarët kërkojnë që qeveria e ardhshme të vazhdojë partneritetin ndërkombëtar. Dialogun, implementimin e dialogut dhe të përfshijë pakicat”.
Në këtë intervistë, Mustafa u shpreh i zhgënjyer me vendimin e presidentes Jahjaga për mosdërgimin e kërkimit të sqarimit të Bllokut në Kushtetuese lidhur me nenin 127. Kreu i LDK-së u shpreh edhe kundër iniciativës së Lutfi Hazirit që zgjidhja të kërkohet jashtë Kuvendit të Kosovës. “Zgjidhja përfundimtare duhet të gjendet në Kuvend”, tha ai në këtë intervistë të gjatë për Zërin.
(Marre nga Express)