Isa Mustafa shpërblen stafin, me 100 deri në 500 euro shtesë

Sindromi për të privilegjuar stafin e ngushtë të njeriut me pushtet duket se  është "sëmundje" shqiptare, pasi ky fenomen, ashtu si në Shqipëri, ndodh edhe në Kosovë. Nga 100 deri në 500 euro shtesë do të përfitojnë një pjesë e punonjësve të Qeverisë së Kosovës çdo muaj bazuar në vendimin e kësaj të fundit që të vazhdojë skemën e Fondit për Kuadro.

Ndonëse në muajin prill ishte rekomanduar nga Ministria e Administratës Publike që të pezullohen pagesat për zyrtarët e institucioneve nga ky fond, ky rekomandim është shpërfillur më datën 12 gusht, nga i pari i Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, kur ka nënshkruar që të ndahen gjysmë milioni euro për stafin e 19 ministrive.`

Sipas këtij vendimi, të cilin e posedon Gazeta Fjala, Ministria e Financave e udhëhequr nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Zyra e Kryeministrit do të jenë përfituesit më të mëdhenj të këtij fondi.

Për kolegët e Hotit në ministri janë ndarë 110 mijë euro ndërsa 50 mijë euro do të shkojnë tek Zyra e Kryeministrit Mustafa.

Në anën tjetër, Ministria e Diasporës, që udhëhiqet nga Lëvizja për Bashkim, e që është partia më e vogël e koalicionit qeverisës, do të jetë përfituesja më e vogël e këtij fondi, me vetëm 5 mijë euro nga kjo skemë.

Kuadrot do të paguhen retroaktivisht

Në vendim thuhet se pagesat do të bëhen retroaktivisht duke filluar nga data 1 janar 2015, që përfshinë pagesat e stafit edhe për periudhën sa fondi ishte i pezulluar.

Fondi për Kuadro është themeluar me vendim të qeverisë së për të krijuar dhe zhvilluar përvojën, kualifikimet dhe shkathtësitë në pozita strategjike dhe prioritare të dikastereve qeveritare.

Sipas përshkrimit të qëllimi të fondi në faqen zyrtare të kryeministrisë, thuhet se Fondi për Kuadro në radhë të parë “synon të mbështesë pozitat ekzistuese në Shërbimin Civil të cilat edhe tani financohen nga buxheti i shtetit në të njëjtën kohë ka për qëllim të sjellë kuadro të reja të kualifikuara dhe me përvojë. “

Gazeta Fjala ka tentuar të marrë përgjigje rreth asaj se pse qeveria ka vendosur të shpërfillë rekomandimin e Ministrisë së Administratës Publike për pezullimin e këtij fondi, por zëdhënësi Arban Abrashi nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara.

SHKARKO APP