Isa Mustafa: Veriu është nën ndikimin e plotë të Serbisë
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, përmes postimit në Facebook, ka shprehur qëndrimin e tij se qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët po e nënshkruajnë peticionin e opozitës janë të painformuar.
Ndërkaq, në raport me Veriun e Mitrovicës, kryeministri Mustafa ka pranuar se ajo pjesë është nën ndikim të plotë të Serbisë.
Lexojeni të plotë postimin e Mustafës në Facebook:
Sigurisht se ka shumë nga qytetarët, të cilët po nënshkruhen në peticionin e opozitës, e të cilët nuk e kanë lexuar “Marrëveshjen e Parë të Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve”, të dt. 19.04.2013, “Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtare që Rregullon Normalizimin e Marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe të Planit të Zbatimit për këtë Marrëveshje”, nr. 04/L-199 të dt. 27 qershor 2013, por as dokumentin: “Asociacioni/Bashkësia i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë-Parimet e Përgjithshme / Elementet kryesore”, nënshkruar më 25 gusht 2015 në Bruksel.
Qytetarët duhet të informohen çfarë përmbajnë këto dokumente, kush i votoi ato në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe kush nuk mori pjesë fare në votim, ndërkaq ishte prezent.
Unë i ftoj mediat që të publikojnë këto dokumente, në mënyrë që ato të jenë të njohura për qytetarët. Sepse është ironike, që ata që e votuan Ligjin për Ratifikimin e marrëveshjes, të kundërshtojnë marrëveshjet dhe të bashkë-organizojnë peticion e të kërkojnë nënshkrime nga qytetarët që të mos zbatohet Ligji.
Çështje tjetër është se a është dashur të ndodhë Asociacioni apo jo. Ai nuk do të ndodhte sikur të arrinim ti integrojmë me kohë serbet e Kosovës dhe sikur, me fajin tonë, por edhe të disave nga bashkësia ndërkombëtare të mos mbetet e ndarë pjesa veriore e vendit, nën ndikimin e plotë të Serbisë. Tani, kjo është zgjidhja që përkrahet nga miqtë tanë, të cilët na ndihmuan ta çlirojmë vendin, ta shpallim pavarësinë dhe ta ndërtojmë shtetin e pavarur.