Ish-i burgosuri politik rrëfen dhunën ndaj Albin Kurtit
Ish-i burgosuri politik, Enver Dugolli, që ka vuajtur dënimin në të njëjtin burg me Albin Kurtin, ka bërë publike një ngjarje që ka ndodhur vite më parë në burgun e Lipjanit. Përmes një postimi në facebook, ai ka treguar se si serbët e kishin rrahur gati për vdekje Kurti, ku dhuna ka zgjatur gjatë gjithë natën. Ngjarja sipas rrëfimit të tij ka ndodhur në qershor të vitit 1999.
“9 qershor 1999, Burgu i Lipjanit. Na kapi fort shqetësimi ngaqë dëgjonim një rrahje të pamëshirshme dhe të pandërprerë diku prej një dhome të burgut. Duhet të ishte ora dhjetë e mbrëmjes kur kishte nisur rrahja. Nuk po ndalej. Në fillim dëgjohej vetëm një gjysmë zëri i njeriut që rënkonte nën goditjet. Ngaqë goditjet ishin shumë të shpeshta, ne gjykonim se po torturonin disa të burgosur njëkohësisht. Edhe atë gjysmë zëri nuk e dëgjonim më por goditjet po. Ato vazhdonin me të njëjtin vrull. Lidhëset plastike në duar dhe zhurma e goditjeve në vesh na mbanin zgjuar. Të mbetet pak për të menduar në ato çaste, por ajo pak ta shpon trurin. Vetëm më vonë mësuam se fjala ishte vetëm për një njeri. Njeriu që ishte rrahur për vdekje nga gardianët e burgut, gjithë natën deri në mëngjes, ishte Albin Kurti”.