Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, feston ditëlindjen në burgun e Hagës

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, feston sot ditëlindjen e 53-të. Por, ndryshe nga ditëlindjet e tjera, këtë përvjetor Thaçi do ta festojë në burg. Ai po mbahet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, që nga nëntori i vitit të kaluar. Aktakuza ndaj tij është ngritur në po këtë datë, para një viti.

Ditëlindja e 53-të ish-presidentin Hashim Thaçi do ta gjejë larg familjes, miqve e bashkëpartiakve. I vetmi mik që do të këtë mundësi ta urojë për këtë ditë të veçantë nga afër, do të jetë ish-kryeparlamentari, Kadri Veseli, i cili po mbahet bashkë me të në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

Thaçi po mbahet në paraburgim që nga 5 nëntori i vitit të kaluar. Në po këtë ditë, ai kishte dhënë dorëheqje nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës dhe ishte transferuar për në Hagë.

Arsye për këtë ishte ngritja e aktakuzës nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Aktakuza ndaj tij ishte ngritur në ditëlindjen e tij të 52-të.

Përveç Thaçit, aktakuzë është ngritur edhe ndaj Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit kanë të bëjnë me krime lufte, ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes, të cilat sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Dhomat e Specializuara pretendojnë se për këto krime, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, “që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

SHKARKO APP