Ish-Presidenti Moisiu: Taksa ndaj Serbisë e duhur. Korrigjimi i kufijve i rrezikshëm
Ish-Presidenti Alfred Moisiu, thotë se korrigjimi i kufijve Kosovë-Serbi është ndërkombëtarisht i rrezikshëm. Sipas tij, Kosovës po i bëhet padrejtësi sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave. Në një intervistë për ”KosovaPress”, ai thotë se qeveria e re e Kosovës duhet të jetë largpamëse sa i përket çështjes me Serbinë dhe duhet gjetur mënyrën për marrëveshje me shtetin fqinj. ”Korrigjimi i kufijve është i rrezikshëm, ndërkombëtarisht i rrezikshëm, pa folur për interesat tona. Sepse kjo hap një problem shumë të madh, pra e mira e gjithë popujve të Ballkanit është integrimi në Bashkimit Evropian dhe aty pastaj rregullohen gjërat”.
Bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë për Moisiun kanë shumë rëndësi meqë nuk mund të vazhdohet pafundësisht me gjëra pezull. Sipas tij, ka qenë e nevojshme t’i tregohet Serbisë që Kosova ka ”Zot shtëpie” e kjo u bë me vendosjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe.
”Serbët i njohim e dimë si është, Kisha serbe gjithashtu e dimë si është, megjithatë jetojmë në Ballkan, i kemi fqinjë dhe me fqinjë duhet gjetur mënyrën si të bëhet marrëveshje. Shpesh unë përdor një shprehje: ”Mikun dhe shokun mund të zgjedhësh por fqinjin ta jep Zoti”. Prandaj duhet gjetur mënyrën si të merresh vesh. Unë gjykoj që duhet menduar hapat qeveria e re që po krijohet tani, duhet t’i mendojë këto gjera me kujdes, duke parë perspektiven, duhet të jetë më largpamëse, nuk është puna të problemet ditore, problemi është çka do të bëhet me tej. Unë mendoj që edhe Serbia nuk mund të vazhdojë gjatë kështu me këtë kokëfortësi. Janë thënë budallaqe: ”Kosova është zemra jonë”, si mund të jetë Kosova zemra e Serbisë me 5 për qind serbë e 95 për qind shqiptarë, këtë nuk e marr vesh, këtë nuk e kupton asnjëri. Nacionalizmi i tërbuar i ka kë to gjëra”.