Ish-prokurorja e EULEX thotë se ‘e kanë kërcënuar’

Një ish-prokurore e EULEX-it në Kosovë, e cila ka ngritur akuza për korrupsion, tha se e kanë kërcënuar se do ta ndjekin penalisht nëse ajo flet në publik për çështjen e saj kundër ish-punëdhënësve të saj.

Nga Petrit Çollaku, BIRN

Ish-prokurorja Maria Bamieh, e cila e ka çuar EULEX-in në një gjykatë britanike për punësim për shkarkim të dyshuar të paligjshme nga puna, tha ditën e enjte se ish-punëdhënësit e saj po përpiqeshin ta trembnin atë në heshtje mbi akuzat për korrupsion brenda organizatës gjë që bëri që ajo të humbte punën e saj.

Firma ligjore “Bindmans”, e cila po përfaqëson Bamieh në Gjykatën e Punësimit në Londër, tha se EULEX-i e kishte kërcënuar se do ta ndiqte penalisht nëse ajo i tregon detaje të akuzave të saj njerëzve jashtë kësaj çështjeje.

Bamieh tha se kjo nënkuptonte se EULEX-i po përpiqej të sigurohej se akuzat e saj do të kalonin pa u ndjerë.

“Këto zhvillime të fundit shërbejnë vetëm për të treguar se deri ku do të shkojnë këto fuqi për të mos lejuar që shqetësimet e mia të diskutohen haptazi,” citohet të ketë thënë ajo në faqen e internetit të “Bindmans”.

“Bindmans” gjithashtu ka pohuar se EULEX-i i kërkoi Gjykatës së Punësimit në Londër  “urdhra privatësie dhe anonimiteti gjatë të gjitha fazave të mbetura të procesit”, gjë e cila firma ligjore tha se do të bënte të pamundur që mediat të raportonin detaje të çështjes.

Por EULEX-i hodhi poshtë akuzat dhe tha se sipas udhëzimeve të Ministrisë së Drejtësisë në Britani mbi gjykatat e punësimit “dokumentet dhe deklaratat nuk duhet të përdoren për ndonjë qëllim tjetër përveçse për drejtim të çështjets” dhe nuk duhet t’i tregohen njerëzve të përfshirë në çështje, avokatëve të tyre apo dëshmitarëve nëse është e nevojshme.

“Ka një ndryshim midis përdorimit të ifnromacionit në çështjet ligjore, të cilat EULEX nuk i kundërshton dhe përcjellje të informacioneve për median, gjë të cilën EULEX e kundërshton,” tha për BIRN ditën e premte Besa Domi, zëdhënësja e misionit.

“Misioni mendon se nuk është e përshtatshme apo e arsyeshme të jepen të dhëna për një kërkesë që duket se jep informacione konfidenciale mbi procedurat ligjore në vazhdimësi e sipër në Kosovë,” shtoi Domi.

Në tetor 2014, Bamieh, një avokate britanike, akuzoi ish-kolegun e saj e EULEX-it, gjykatësi italian Francesco Florit, se kishte marrë ryshfet 300,000 euro për të deklaruar të pafajshëm për vrasje një të akuzuar, si edhe duke kërkuar një tjetër ryshfet për një rast korrupsioni kundër një zyrtari të Ministrisë së Transportit në Kosovë. Florit i mohoi me forcë akuzat.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së Federica Mogherini kërkoi një raport pasi akuzat e Bamieh u bënë publike, për të zbuluar nëse kishte pasur ndonjë përpjekje për të mbuluar gjithçka.

Raporti i publikuar në prill arriti në përfundimin se misioni vonoi hetimin e akuzave për ato që dukej të ishin “gabime administrative”, por nuk u përpoq t’i mbulonte ato.

Seanca tjetër dëgjimore në Gjykatën e Punësimit në Londër do të mbahet në shtator.

Në një zhvillim të veçantë ditën e enjte, deputetët e Kosovës votuan një rezolutë duke bërë thirrje që puna e EULEX-it të rishikohej dhe akuzat për abuzim brenda misionit të hetoheshin.

SHKARKO APP