Ish-zëvendëskryeministri: Hoti, Kryeministër ‘kukull’. S’mund të dialogojë në emër të Kosovës

Ish-zëvendëskryeministri Haki Abazi ka reaguar pas deklaratave të të  dërguarit të posaçëm të presidentit Trump për bisedimet Kosovë- Serbi, Richard Grenell, se pas anulimit të vizitës së presidentit Hashim Thaçi në Uashington, procesi i dialogut të shtunën në Shtëpinë e Bardhë do të udhëhiqet nga kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç.

Presidenti Thaçi ka anuluar sot vizitën e tij në Uashington, pas propozimit për aktakuzë nga Gjykata Speciale kundër tij dhe kryetarit të PDK-së Kadri Veseli për kinse krime lufte.

Haki Abazi nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe askush nuk mund ta akuzojë dhe gjykojë.

Në një postim në Facebook shkruan se me Vuçiç nuk ka autorizim asnjë autoritet e asnjë shqiptar që të negociojë e aq më pak një kryeministër ‘kukull’ e përfaqësues ‘ilegal i qeverisë jo legjitime’.

“Vuçiq ka qenë ministër në qeverinë e Millosheviçit dhe ai është pjesë dhe përkrahës i gjenocidit në Bosnjë e Hercegovinë dhe ne Kosovë, ai ka deklaruar në Parlamentin e Serbisë se për një serb të vrarë duhet vrarë 100 boshnjakë. Me Vuçiç nuk ka autorizim asnjë autoritet e asnjë shqiptar që të negociojë e aq më pak një kryeministër kukull e përfaqësues ilegal të qeverisë jo legjitime”, ka shkruar Abazi.

SHKARKO APP