ISIS e konsideron Kosovën zonë të rëndësishme për rekrutimin e luftëtarëve
Shteti Islamik e cilëson Ballkanin, e në veçanti Kosovën, si zonë të rëndësishme për rekrutim të luftëtarëve të vet.
Ky isht ekonkluzioni i emisionit “Fakt” në televizionin gjerman ARD.
Më tej në emision u tha se Shteti Islamik rekruton luftëtarë përmes video-materialeve në gjuhën shqipe dhe atë boshnjake, mbi të gjitha në Kosovë dhe bën thirrje për sulme terroriste, transmeton Koha.net.
Eksperti për Evropën juglindore, Florian Bieber nga Universiteti i Grazit, vlerëson se video-porosi të tilla nuk kanë cak vetëm myslimanët e Ballkanit, por edhe ata që vijnë nga zona tjera të Evropës perëndimore.
“Shumica e këtyre njerëzve nuk e dinë gjuhën arabe, prandaj video-incizimet në gjuhën shqipe apo atë boshnjake janë instrument i rëndësishëm për rekrutim”, vlerëson Bieber, përcjellin mediat gjermane.
“Në ndërkohë, Kosova është bazë e rëndësishme e Shtetit Islamik dhe një numër i konsiderueshëm i luftëtarëve vijnë nga atje, ku papunësia është në shifra të larta”, vlerëson më tej Bieber,
Mediat raportojnë gjithashtu se Ballkani është zonë interesante edhe për skenën islamike të Gjermanisë dhe theksojnë se salafistët gjermanë kanë mbledhur para për fshatin boshnjak Gornja Maoca, për të cilin thuhet se shërben si qendër e rëndësishme për rekrutim të luftëtarëve për Shtetin Islamik.