Izetbegoviç: Ndarja e Kosovës hap oreksin e Serbisë në Bosnje

Bakir Izetbegoviç, një nga politikanët kryesorë në Bosnjë ka reaguar lidhur me idenë e ndajres së Kosovës. Bakir Izetbegoviç, partia e të cilit mban presidencën e radhës të Bosnjes, thotë se ideja e ndarjes së Kosovës do të hapë oreksin e Serbisë në Bosnje.

Ai ka komentuar dhe fjalimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiç gjatë vizitës në Mitrovicën veriore. Izetebegoviç i cili është dhe djali i Alija Izetbegoviç një nga figurave kryesore të luftës mes boshnjakëve dhe serbeve në vitet ’90, tha se lideri Vuçiç në Kosovë “foli për paqe, ndërsa vazhdon të grumbullojë armatim”.

Në intervistën për portalin sarajevas “Klix”, Izetbegoviç deklaron  se Vuçiqi më në fund “i ka hapur sytë”, por i bën vërejtje se flet për pajtim me boshnjakët dhe deklarohet për BeH unike, porse njëkohësisht “nuk kundërshton (presidentin e Republikës Sërpska, Milorad) Dodikun, i cili i ofendon boshnjakët dhe vë në pikëpyetje integritetin territorial dhe paqen në Ballkan”.

Në fjalimin në Mitrovicë, thotë Izetbegoviç, presidenti serb “lavdëroi prijësit e luftës dhe kriminelët e gjykuar”, duke pasur në mendje Sllobodan Millosheviçin.

Lideri i myslimanëve të BeH-së konsideron se “status quoja” po e lodh Serbinë dhe e ndalon atë në rrugën e euro-integrimeve dhe shton se “është vështirë të jesh lider serb i cili e ka pranuar realitetin, respektivisht pavarësinë e Kosovës”.

Lidhur me idetë për këmbime territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, Izetbegoviçi shprehu hapur frikën se një gjë e tillë do të mund të hapte orekset për pavarësimin e Republikës Sërpska, me krijimin e një entiteti të ri në BeH dhe bashkëpunimin e politikanëve serbë dhe kroatë në këtë drejtim.

Ai është shprehur i bindur se asnjë nga këto nuk do të mund të realizohej, por mund të shkaktojë kriza të thella politike që do të zgjasnin dhe do ta çonin prapa vendin dhe popullin.

SHKARKO APP