Ja shuma që mund të shpenzojë një parti në Kosovë gjatë fushatës elektorale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë zhvilloi sot mbledhjen e rradhës në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Gjatë mbledhjes u vendos mbi kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore për subjektet politike, të cilat do të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje.

Sipas KQZ-së, “një subjekt politik ka të drejtë të shpenzojë deri në 934.831 euro, përkatësisht 0.5 euro për votues të regjistruar”.

Vendimi mbështetet në të dhënat e listës jopërfundimtare të votuesve, sipas të cilës numri i votuesve në vend është 1.869.662.

Për fushatën e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit të vitit 2019, KQZ duke u mbështetur në listën preliminare të votuesve vendosi që maksimumi i shpenzimeve për secilën parti të ishte 986 mijë euro, raporton AA.

Nga mbledhja e fundit e KQZ-së gjithashtu u njoftua se periudha për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës do të fillojë më 13 janar dhe do të përfundojë më 21 janar.

Lidhur me këtë proces, KQZ mori vendim për verifikimin e aplikacioneve për regjistrim, ku prej një e-mail adrese aplikuesit mund të aplikojnë për vete dhe për familjarë të ngushtë me të njëjtin mbiemër, në formularët e aplikimit aplikuesi të shënojë numrin personal të telefonit, ndërsa KQZ do t’i kontaktojë të gjithë aplikuesit përmes telefonit dhe ata të cilët nuk do të lajmërohen do t’u refuzohet aplikacioni.

SHKARKO APP