Jahjaga dekreton ligjin për minierën e Trepçës

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka dekretuar sot ligjin “për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre”, të miratuar në Kuvendin e Kosovës, në seancën e 19 janarit.

Mediat në Kosovë bëjnë të ditur se presidentja Jahjaga ka theksuar se “qëllimi i këtij ligji është që t’i japë kohë dhe hapësirë Qeverisë së Republikës së Kosovës të parandalojë likuidimin e “Trepçës”, kësaj pasurie të patjetërsueshme të Kosovës dhe qytetarëve të saj, dhe të krijojë kushtet që të ndihmojnë zhvillimin ekonomik të Kosovës”.

Kuvendi i Kosovës miratoi me procedurë të përshpejtuar këtë ligj, pasi kishte hequr nga rendi i ditës çështjen e pronësisë se kombinatit metalurgjik “Trepça”, në kuadër të diskutimeve për ta shndërruar këtë kombinat në ndërmarrje publike. Miratimi i ligjit të dekretuar sot siguroi votat e partive të koalicionit qeverisës, por jo edhe të atyre në opozitë. Çështja e statusit të Trepçës është bërë shkak i protestave të partive politike në opozitë më 27 janar, që u përshkuan me përplasje të rrepta ndërmjet protestuesve dhe forcave të rendit.

SHKARKO APP