Jahjaga dhe Mustafa, homazhe ideatorit të pavarësisë, Ibrahim Rugova

Presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Isa Mustafa së bashku me kabinetin e qeveritar bënë sot homazhe te varri i ish presidentit Ibrahim Rugova, në kuadër të festimeve për shtatë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Gjatë homazheve, Presidentja Jahjaga tha se “erdhëm t’i bëjmë nderimet tona institucionale këtu pranë varrit të presidentit të parë historik, dr.Ibrahim Rugovës, ideatorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, i cili arriti të mobilizojë gjithë popullin e Kosovës rreth platformës së tij për liri, pavarësisë, demokracisë dhe të sigurojë një përkrahje të fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të vendeve të Bashkimit Evropian”.

“Sot Kosova është vend i lirë, i pavarur, sovran, vend që ka një perspektivë të qartë të integrimeve evropiane dhe euroatlantike”, theksoi Jahjaga.

Kryeministri Mustafa duke vlerësuar kontributin e Ibrahim Rugovës për pavarësinë dhe shtetin e Kosovës, tha se “në këtë ditë të madhe, në këtë shtatë vjetor të pavarësisë së Republikës së Kosovës, sot, me Presidenten, me kabinetin qeveritar i bëmë nderime Presidentit të parë të Republikës së Kosovës, njeriut i cili i vuri themelet e pavarësisë të kësaj Republike, i cili me përkushtim shumë të madh punoi gjatë tërë jetës së tij që Kosova të bëhet shtet i pavarur, që populli i Kosovës të gëzojë lirinë dhe punoi për këtë vend”, theksoi Mustafa.

“Ne e vlerësojmë shumë veprën e tij, e vlerësojmë kontributin e tij dhe kjo na bën që të punojmë edhe më shumë në mënyrë që të krijojmë kushte për qytetarët tanë, të krijojmë kushte që ky shtet të funksionojë mirë, që të ndërtojmë një shtet të fortë, një shtet demokratik dhe një shtet me të cilin do të mburremi të gjithë, jo vetëm brenda vendit por edhe në arenën ndërkombëtare”, nënvizoi Mustafa.

 

SHKARKO APP