Jahjaga, “fytyra e qeshur e shqiptarëve”

Pjesëmarrja e presidentes Jahjaga në këtë konferencë nuk do të ketë karakterin e një vizite zyrtare në Beograd. Nuk do të ketë tapt tapet të kuq, gardë nderi dhe simbole të shtetit. Por presidentja Jahjaga është e ftuar si presidente dhe mund të prezantohet në Beograd e barabartë me të gjithë liderët e vendeve të rajonit, që do të jenë atje. Në këtë konferencë do të marrin pjesë rreth 170 të ftuar nga të gjitha vendet e rëndësishme në botë, për të cilët mendohet se kanë influencë të jashtëzakonshme politike, ekonomike dhe financiare, si në vendet e tyre, ashtu edhe në institucionet ndërkombëtare.

Organizatorët e interesuar

Organizatorët e takimit, me të cilët kemi biseduar këto ditë në Beograd, pohojnë se ata janë shumë të interesuar për pjesëmarrjen e presidentes Jahjaga. Momenti i takimit me siguri që nuk është më i përshtatshmi (për shkak të ngritjes së tensioneve pas ndeshjes Serbi – Shqipëri, shtyrjes së viztiës zyrtare të kryeministrit Edi Rama në Beograd për 10 nëntor dhe jo së fundi për shkak të problemeve, që presidentja Jahjaga ka në Prishtinë me krijimin e Kuvendit dhe institucioneve të vendit). Por organizatorët mendojnë se pikërisht në momentet e krizave “politikanët duhet të tregojnë përgjegjësi dhe të përpiqen t’i ulin tensionet”. Kjo vlen si për presidenten Jahjaga ashtu edhe për kryeministrin serb Aleksandar Vuçiq, i cili së bashku me udhëheqësin e Trilaterales për Evropën, Jean-Claude Trischet, do të mbajë fjalën e hapjes në sesionin për “Evropën Juglindore – Vendet kandidate në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE”. Ndonjë takim zyrtar mes presidentes Jahjaga dhe Vuçiq nuk është parashikuar. Por ata do të ishin së bashku në një vend dhe nuk përjashtohet ndonjë takim joformal.

Kush e ka konfrimuar pjesëmarrjen?

Kryetari i grupit të Komisionit Trilateral për Serbinë Jovan Kovaçiq ka bërë të ditur se nga liderët e vendeve të rajonit pjesëmarrjen në këtë konferencë e kanë konfirmuar presidenti i Maqedonisë Gjorgje Ivanov, kryeministri i Malit të Zi Millo Gjukanoviq dhe lideri i Republikës Srpska Millorad Dodik. Ndërkohë që ende pritet përgjigja zyrtare e anëtarit të Presidencës së Bosnje-Hercegovinës Bakir Izetbegoviq dhe presidentes së Kosovës Jahjaga. Për shkak të shtyrjes së vizitës zyrtare në Beograd kryeministri i Shqipërisë Edi Rama me siguri që nuk do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës në këtë konferencë.

Rëndësia e pjesëmarrjes së Jahjagës

Pjesëmarrja e Jahjagës në këtë konferencë do të ishte qëndrimi i dytë i ndonjë zyrtari të lartë të Kosovës në Beograd brenda një kohe të shkurtë. Të enjten e kaluar (23.10) në një takim rajonal kanë marrë pjesë ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj dhe ai për Zhvillim Ekonomik, Fadil Ismajli.

“Shumë politikanë do të thonë se ardhja e Jahjagës në Beograd nuk do të thotë njohje e pavarësisë së Kosovës. Por de facto kjo do të thotë njohje e Kosovës nga Serbia”, pohon eksperti i njohur për marrëdhëniet shqiptaro-serbe, profesori Predrag Simiq. Sipas tij, “Jahjaga me siguri që është një prej figurave më të këndshme, të cilën shqiptarët kanë mundur ta nxjerrin para bashkësisë ndërkombëtare”. “Unë me siguri që do ta pëshëndesja vizitën e saj në Beograd, sepse ajo paraqet fytyrën e qeshur të shqiptarëve”, pohon Simic./DW

SHKARKO APP