Jahjaga: Ikja nga Kosova nuk është zgjidhje
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, sot ka vizituar komunën e Vushtrrisë, një nga komunat më të prekura nga emigrimi ilegal i javëve të fundit, njofton zyra për e Presidencës. Gjatë kësaj vizite, Jahjaga u takua me kryetarin e komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulakun dhe u informua me gjendjen aktuale dhe trendin e largimit të banorëve të kësaj komune që po emigrojnë në mënyrë ilegale në vendet e Bashkimit Evropian.
Pas takimit me kryetarin e komunës, Jahjaga bisedoi takoi shumë qytetarë të komunës së Vushtrrisë. Në një bashkëbisedim me ta, ajo u informua me problemet e tyre dhe i porositi që të mos e lëshojnë vendin, sepse ikja nga Kosova nuk është zgjidhje.
“Erdha sot në komunën e Vushtrrisë, të bisedoj me secilin qytetar e të dëgjoj të gjitha brengat dhe të gjitha shqetësimet e tyre. Jam jashtëzakonisht e shqetësuar për ikjen e qytetarëve tanë” iu tha qytetarëve të Vushtrrisë, presidentja Jahjaga dhe shtoi se, të gjithë jemi të vetëdijshëm që, Kosova nuk është shteti të cilin ne kemi dëshiruar që ta kemi sot, 15 vite pas përfundimit të luftës. Megjithatë, sipas Jahjagës, ikja nga vendi nuk është zgjidhje.
“Zgjidhja nuk është tek ikja e qytetarëve tanë, sepse ne nuk kemi qytetarë për të ikur. Ne e dimë më së miri se çfarë është që ta lëshosh vendin, të ikësh prej vendit tënd” tha presidentja e Kosovës dhe iu bëri thirrje qytetarëve në Vushtrri që të mbesin në vatrat e tyre.
Ajo u shpreh se procesi i shtet ndërtimit është proces i vëhstirë dhe barrë e madhe për gjitha institucionet dhe qytetarët, ndërsa pikërisht gjeneratës tonë i ka ra kjo barrë.
Duke kujtuar se javën e ardhshme bëhen shtatë vite të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Jahjaga bëri thirrje, që qytetarët e Kosovës së bashku me institucionet e vendit të vazhdojnë me ngulm edhe më të madh procesin e shtet ndërtimit të Kosovës, sepse institucionet e vendit këtë nuk mund ta bëjnë pa ndihmën e qytetarëve.
“Në takimet me të gjithë qytetarët këtu në Vushtrri, unë kërkova që të apelojnë te familjarët e tyre, te dashamirësit e tyre, te të gjithë të afërmit e tyre, që zgjidhja nuk është në ikje. Ata nuk duhet ta lëshojnë Kosovën, sepse ata janë qytetarët e Kosovës dhe ne bashkërisht duhet të koncentrohemi në ndërtimin dhe në avancimin e shtetit tonë” përfundoi Jahjaga.