Jahjaga: Kosova nuk ka qytetarë për të humbur

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, pas komunës së Vushtrrisë, vizitoi sot komunën e Ferizajt, ku u takua me udhëheqjen komunale dhe me qytetarët për të diskutuar me ta në lidhje me valën e fundit të migrimit ilegal dhe për të dhënë porosinë se largimi nga Kosova nuk është zgjidhje për qytetarët, por ata dhe institucionet e vendit duhet të punojnë në kapërcimin e problemeve aktuale dhe për ndërtimin dhe përparimin e vendit tonë. 

Gjatë një takimi me kryetarin e komunës së Ferizajt, Muharrem Svarça, Presidentja u njoftua me gjendjen në këtë komunë, e cila është e prekur në masë të madhe nga migrimi ilegal i javëve të fundit. Gjithashtu, Presidentja Jahjaga bisedoi më qytetarët e Ferizajt, për t’u njoftuar me problemet e tyre, hallet që kanë ata, për t’ju gjendur afër dhe për të dëgjuar zërin e tyre.  

“Erdha këtu për të biseduar me qytetarët, për të parë gjendjen e tyre, për të biseduar me ta për të gjitha shqetësimet, të gjitha brengat që i kanë. Shqetësimi i tyre kryesor është ajo brenga që ne të gjithë e ndajmë, që Kosova nuk është ajo që ne kemi dëshiruar që ta kemi pas përfundimit të luftës dhe pas shpalljes së pavarësisë.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm se procesi i shtetndërtimit është një proces i gjatë, një proces që merr kohë, një proces i mundimshëm. Por, gjithë këtë proces duhet ta kalojmë bashkërisht përmes punës së institucioneve vendore, përmes qeverisë së Republikës së Kosovës, përmes institucioneve të legjislativit, edhe përmes niveleve komunale të cilat duhet të bashkëpunojnë”, theksoi Presidentja Jahjaga gjatë vizitës në Ferizaj. 

Nga të gjithë qytetarët që takova sot, kërkova që ata të apelojnë te të afërmit e tyre, familjarët e tyre, dashamirësit e tyre, t’u tregojnë se ikja nuk është zgjidhje, sepse Kosova më së miri e di se çka është të ikësh, sepse para 15 viteve ne e kemi kaluar një fazë kur me mija e mija qytetarë kanë ikur nga vendi ynë, shtoi zonja Jahjaga. 
Sot, Kosova është në një proces kur i nevojiten qytetarët e saj. Ne nuk kemi qytetarë për të humbur. Ua bëra këtë apel edhe zyrtarëve komunalë edhe të gjithë qytetarëve, që ne duhet bashkërisht të mobilizohemi që ta ndërtojmë shtetin tonë. Kemi ende shumë punë për të bërë. Ne do të jemi suksesshëm vetëm nëse jemi së bashku. Ikja nuk është zgjidhje. Ne duhet të ballafaqohemi dhe bashkërisht të gjejmë zgjidhje për të gjitha çështjet, tha Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga. 

Gjithashtu, Presidentja Jahjaga ka vizituar edhe kompaninë “Promoplast”, në fshatin Greme të Ferizajt. Sikur shumë biznese në vend, edhe kjo kompani është prekur nga migrimi ilegal. Njëri nga punëtorët, i cili ka migruar ilegalisht, por është kthyer sërish në familje dhe në vendin e tij të punës, ka treguar peripecitë nëpër të cilat ka kaluar, si dhe u ka bërë apel të gjithëve që të mos e marrin rrugë e migrimit ilegal, pasi kjo nuk është zgjidhje, sepse ata do të kthehen në vendin e tyre edhe më të varfër. 

SHKARKO APP