Jahjaga: Ligj për viktimat e dhunës seksuale gjatë Luftës në Kosovë
Në cilësinë e kryetares së Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga organizoi një takim pune me Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe institucionet ligjore për t’u ardhur në ndihme të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Jahjaga nëpërmjet një postimi në statusin e saj bën me dije se “Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, që udhëhiqet nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në bashkëpunim me Zyrën Ligjore në Zyrën e Kryeministrit dhe Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ka mbajtur një takim për hartimin dhe finalizimin e akteve nënligjore të nevojshme për procesin e njohjes dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës”. Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin anëtarët e Grupit Punues Qeveritar, përfaqësues të Zyrës së Presidentes dhe të institucioneve përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji, si dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare, të cilat ofrojnë shërbime profesionale për këtë kategori të viktimave civile të luftës si dhe përfaqësues nga institucionet ndërkombëtare.
Qëllimi i këtij takimi ishte për përpilimin e dokumenteve të nevojshme që do të mundësojnë aplikimin dhe identifikimin e mekanizmave referues deri në procesin e njohjes dhe verifikimit të statusit të të mbijetuarit të dhunës seksuale gjatë luftës, duke u bazuar edhe në Protokollin Ndërkombëtar për Dokumentim dhe Investigim si dhe në praktikat më të mira të marra nga rajoni.
"U theksua nevoja që ky proces të ofrojë një qasje sa më profesionale, lehtësuese dhe dinjitoze në mënyrë që të motivojë këtë kategori të ndjeshme të shoqërisë të jenë përfituese të pensionit personal dhe përfitimeve të parapara me ligj. Dokumentet dhe rekomandimet e dala nga kjo punëtori shërbejnë për finalizimin e hartimit të akteve nënligjore të domosdoshme për zbatimin e Ligjit për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave të Dhunës Seksuale të Luftës, Viktimave Civile dhe Familjarëve të tyre, me të cilin ligjërisht njihet statusi i viktimave të dhunës seksuale gjatë Luftës në Kosovë”, – shprehet Jahjaga.