Jahjaga mesazh urimi besimtarëve katolikë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, uroi sot ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji dhe të gjithë besimtarët katolikë, me rastin e Festës së Krishtlindjes.
Në urimi, Presidentja Jahjaga shprehet se “në këtë ditë të shenjtë Krishtlindjeje, me respektin më të thellë ju përcjellë urimet më të përzemërta Juve dhe të gjithë qytetarëve të besimit katolik në Republikën e Kosovës. Uroj që këtë festë, që është simbol i paqes, solidaritetit, dashurisë dhe mirëkuptimit midis njerëzve, ta kaloni me gëzime, begati dhe harmoni me më të dashurit tuaj”.
“Në këtë Krishtlindje, urimet më të mira dëshiroj t’ua përcjell edhe ambasadorëve, përfaqësuesve diplomatikë, komandantit dhe ushtarëve të KFOR-it, si dhe të gjithë përfaqësuesve të tjerë ndërkombëtarë, që do të festojnë në vendin tonë. Edhe në këtë ditë kremte, të ndalemi e të reflektojmë për punën tonë dhe detyrimet që kemi ndaj njëri-tjetrit, ndaj familjes, ndaj miqve dhe ndaj gjithë shoqërisë. Të punojmë pareshtur për të mirën tonë të përbashkët dhe të mos i harrojmë asnjëherë njerëzit në nevojë, të solidarizohemi me ata dhe të ndajmë momente shumë të çmuara të kësaj feste madhështore. Në këtë ditë Krishtlindjeje, me respekt të veçantë, të bëjmë homazhe dhe të nderojmë të gjithë ata që u angazhuan dhe sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, e që sot nuk janë në mesin tonë”, përfundon presidentja Jahjaga.