Jahjaga për Huffington Post; “Theva tabu”

Do të mbetet gjatë në memorien e popullit Shqiptar ky emër, Atifete Jahjaga.  E para Presidenti femër e zgjedhur në trojet Shqiptare, Presidentja e parë në Kosovë. Në një shkrim personal mbi karrierën e saj si Presidente të botuar në Huffington Post, Atifete Jahjaga ka theksuar se ka ardhur në krye të Shtetit në një moment të vështirë dhe sot pas 5-së vitesh Jahjaga ka një mision siç e shpreh dhe vetë: “Le veprojmë së bashku për të fuqizuar pjesëmarrjen dhe mundësitë e barabarta në fusha të ndryshme të jetës për gratë dhe vajzat e reja në gjithë botën”.

Shkrimi i plotë në Huffington Post

Gjysmë dekade më parë, gjatë një krize politike, unë u zgjodha Presidente e Republikës së Kosovës, duke u bërë gruaja e parë Presidente në vend dhe në rajon si dhe më e reja në botë që mbaja këtë pozitë. Një tabu ishte thyer dhe unë shumë shpejt u bëra përjashtimi i normës së deritashme se një pozitë e tillë i takonte vetëm burrave.

Unë gjithmonë e kam konsideruar veten me fat, për arsyen se jam ngritur mbi hijen e grave të guximshme të shoqërisë time, të cilat në kohërat e vështira të represionit nga regjimi serb, kanë luftuar për lirinë e gjithë komunitetit të tyre, për të drejtën e të jetuarit si qytetarë të barabartë, në kohën kur konsideroheshin qytetarë të dorës së dytë; për të drejtën e jëtës.

Unë jam rritur në mesin e grave, të cilat kanë qenë pjesë e pandashme e betejës për mijetesë gjatë kohës së luftës, gra të cilat ishin të gatshme të sakrifikon çdo gjë për të mbrojtur familjet e tyre, për t’u bërë mburojë e fëmijëve të tyre. Gra të cilat u bënë pjesë e tragjedisë së shkaktuar nga agresioni, që edhe sot mbajnë me vete plagët e akteve jonjerëzore të abuzimit seksual të kryer nga forcat serbe.

Unë i kam takuar dhe jam bërë pjesë e grave të Kosovës që kanë kaluar nëpër shtypje, luftë dhe më në fund kanë gjetur paqe.

Gratë e Kosovës që mbi rrënojat e shkatërrimit dhe vuajtjes së pafundme njerëzore, duke u përballur me sfida të shumta për të ndërtuar një vend paqësor, stabil dhe të sigurt, luftojnë çdo ditë për ta ndërtuar një shtet të fortë që ofron paqe për të gjithë qytetarët dhe mundësi për një jetë të begatë.

Kjo ka qenë vendosmëria e grave të shoqërisë sime, të cilat më kanë qëndruar pranë në çdo fazë, për të shikuar në të ardhmen dhe për t’iu ofruar gjeneratave të ardhshme mundësi për jetë në paqe. Është forca dhe guximi i tyre që i ndihmoi shoqërise tonë të rigjejë shpresën.

Unë refuzoj të konsiderohem si rast i veçantë, që unë jam një nga gratë e vendit tim që merr çdo ditë vendime, vendime të cilat përcaktojnë rrugën e shoqërisë tonë në të gjitha kohërat.

Kur e bëra betimin për t’i shërbyer qytetarëve të vendit tim, u zotova që do të vazhdoj të hap rrugët për gratë e reja që ta ndjejnë veten për atë se çfarë janë me të vërtetë: anëtare të barabarta të shoqërisë dhe të sigurohem që ato të japin kontributin e tyre për shoqërinë, njëjtë siç kanë bërë gjithmonë gratë e vendit tim.

Kjo është pika kryesore në të cilën unë kam gjetur forcën dhe fuqinë për të kapërcyer paragjykimet gjinore që përcollën Presidencën time, që t’i përmbush detyrat e mia kushtetuese dhe që të avokojë për të drejtat e grave në gjithë sektorët e jetës, madje edhe trajtimin e një çështjeje shumë të ndjeshme në shoqërinë e pasluftës, për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Derisa pres që t’i bashkohem shumë lidereve të botës në Samitin Global të Grave në Politikë, ndihem e inspiruar dhe krenare të ndaj historinë e grave të Kosovës të cilat janë shtylla kurrizore e shoqërisë time.

E di që do takoj shumë lidere, aktiviste dhe deputete që kanë thyer tabu në shoqëritë e tyre duke qëndruar në frontin e parë për ndryshim. Me angazhimin e tyre të patrembur, ato kanë forcuar funksionimin demokratik të shoqërive të tyre dhe kanë mbrojtur të drejtën e të gjithë qytetarëve që të jetojnë me dinjitet dhe kanë luftuar për gratë në mënyrë që ato të luajnë rolin që u takon në shoqëri.

Përreth një shekulli, ne e kemi nxitur shoqërinë tonë që të pranojë realitetin e qartë që gratë janë pjesë e pandashme e progresit të plotë në cilëndo shoqëri, ato janë agjente të paqes, të zgjidhjes së konflikteve, të procesit të shtetndërtimit dhe përfshirja e drejtpërdrejtë e tyre siguron një botë më të mirë dhe më të drejtë për të gjithë.

Ky është një emërues i përbashkët për shoqëritë që kanë kaluar nëpër konflikte, shoqëritë në tranzicion, për vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim.

Prandaj, është një gjë e domosdoshme dhe e duhur që të vendoset aftësia e grave në këtë ekuacion në mënyrë që të gjendet zgjidhja për sfidat e përbashkëta.

Kjo është trashëgimia e mahnitshme që ky Samit, vit pas viti, është duke u siguruar që ta kalojë edhe te gjeneratat e ardhshme në mënyrë që ato që të flasin për vlerat, aftësitë, mundësitë, shkathtësitë, ëndrrat e gjithë qytetarëve pa dallim gjinie, dhe që barazie gjinore të merret si e mirëqenë.

Gratë ende duhet të fitojnë ndarjen e tyre të barabartë në shoqëri dhe të drejtën për të vendosur për jetën e tyre. Megjithatë, unë jam e sigurt më shumë se kurrë se fuqizimi i grave do të ketë sukses dhe do bëhet realitet çdokund, në çdo vend, në çdo qytet e në çdo fshat.

Është ajo që duhet bërë! Është e drejtë! Është koha! Le të veprojmë së bashku për të fuqizuar pjesëmarrjen dhe mundësitë e barabarta në fusha të ndryshme të jetës për gratë dhe vajzat e reja në gjithë botën.

SHKARKO APP