Jahjaga: Rritja e kërkesave për azil, s’do na liberalizojnë vizat
“Numri në rritje i kërkesave për azil të qytetarëve kosovarë në vendet e Bashkimit Europian e vështirëson vendimin e vendeve anëtare të BE-së për të miratuar liberalizimin e vizave për Kosovën”, theksoi sot Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Gjatë takimit të tetë të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, Presidentja Jahjaga u shpreh se “ne duhet të përforcojmë përpjekjet tona për të fuqizuar arritjet e deri tanishme në dialogun e liberalizimit të vizave. Unë jam e bindur që përmbushja e këtyre kritereve, jo vetëm që do t’iu mundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, por do të përmirësojë efikasitetin e sistemit, të cilin e kemi ndërtuar që një dekadë e gjysmë”.
“Si institucione të Kosovës e kemi për detyrë që të ndërmarrim reforma të thella dhe të shpejta në fushën e sundimit të ligjit, si parakusht për tërheqjen e kapitalit të huaj dhe zhvillimin e përgjithshëm të ekonomisë së tregut të lirë. Pavarësisht potencialit që ne e dimë që Kosova mbanë, nuk ka investitor që do të bindet të vijë në Kosovën e tensionuar politikisht, të ndarë etnikisht dhe të sfiduar nga mungesa e efikasitetit të sistemit të drejtësisë. Përgjigja jonë kërkon edhe një bashkërendim më efektiv në mes të mekanizmave të sigurisë, fushatave vetëdijesuese që do t’i informojnë qytetarët se kërkesat për azil nga Kosova nuk pranohen”, nënvizoi Jahjaga.
E kam ftuar këtë takim të Këshillit, vijoi ajo, për të gjetur përgjigjet adekuate nga instancat e mandatuara për t’u përballur me këtë dukuri.
“Prioritet i institucioneve të Kosovës mbetet thellimi i reformave të parashikuara në axhendën tonë evropiane. Ne duhet ta kompensojmë kohën e humbur për t’i realizuar synimet, që do të mundësojnë nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave.
Në takimin e këtij Këshilli mirëpresim kontributin e Ministrit për Integrim Evropian, Bekim Çollakut, Ministrit për Punë të Brendshme, Skënder Hysenit, Drejtorit të Policisë, Shpend Maxhunit, perspektivën e përfaqësuesit të Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar dhe përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së të pranishme në Kosovë”, u shpreh Jahjaga.
Presidentja kosovare tha se “migrimi i jashtëligjshëm është shqetësues dhe ne duhet të ndërmarrim hapa të menjëhershëm për të adresuar faktorët shtytës. Është e qartë që ato janë probleme që shtrihen në dy kategori – mungesës së hovshme të zhvillimit ekonomik, që lidhet me nivelin e papunësisë dhe varfërisë në Kosovë dhe rrjeteve kriminale, që po shfrytëzojnë këtë pakënaqësi ekonomike për të përfituar nga qytetarët tanë”.
“Cilat do qofshin rrethanat e migrimit, një gjë mbetet e pakontestuar; kjo nuk duhet të jetë Kosova e vitit 2015 sepse të gjithë ne, qytetarët e saj ndajmë vizion tjetër për shtetin tonë dhe vendin tonë në këtë shtet”.
“Pres nga kryesuesit e institucioneve që në këtë takim të diskutojmë konkretisht se si mund të arrijmë një bashkërendim ndërinstitucional, qoftë edhe përmes takimeve më të shpeshta të këtij këshilli në nivel qendror apo teknik, për t’u siguruar se do t’i përmbushim përgjegjësitë që na u kanë besuar”, përfundoi Jahjaga.