Jahjaga: Serbia të bashkëpunojë rreth komplotit të dyshuar terrorist

Presidentja e Kosovës i ka takuar krerët e mekanizmave të sigurisë në vend, nga të cilët ka kërkuar ngritjen e sigurisë në vend pas arrestimit të dyshuarit me sasi eksplozivi mbrëmë në Lagjen Arbëria (Dragodan). Ajo ka kërkuar nga shtetet e rajonit bashkëpunim për të zbardhur këtë “komplot të dyshuar terrorist”.

Më poshtë mund të lexoni njoftimin e plotë të Zyrës së Presidentes. Sot kam takuar Kryeministrin e Kosovës, zotëri Isa Mustafa dhe krerët e mekanizmave të sigurisë, drejtorin e Policisë së Kosovës, zotëri Shpend Maxhunin dhe drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, zotëri Bashkim Smakaj për të vlerësuar gjendjen e sigurisë në vend pas arrestimit të një të dyshuari me sasi të mëdha eksplozivi në kryeqytet.

Falënderoj Policinë e Kosovës për profesionalizmin dhe punën e mirë në pengimin e këtij veprimi terrorist dhe në mbrojtjen e sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Kërkova nga mekanizmat e sigurisë që të ngrisin sigurinë e përgjithshme në Kosovë dhe apeloj te qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit që po e hetojnë këtë incident.

Njëkohësisht, duke marrë parasysh natyrën komplekse dhe serioze të këtij komploti të dyshuar terrorist u bëj thirrje shteteve të rajonit të bashkëpunojnë në zbardhjen e rrethanave dhe të ndihmojnë në sjelljen e aktorëve të përfshirë në këtë akt terrorist para drejtësisë.

Institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara që Kosova të mos bëhet vatër dhe shënjestër e aktiviteteve terroriste dhe institucionet e vendit do të bëjnë çmos që siguria kombëtare e Kosovës dhe e aleatëve të saj të ruhet dhe të garantohet. Express

SHKARKO APP