Jahjaga takon delegacion faktmbledhës të nivelit të lartë të EBA
Presidentja Jahjaga e vlerësoi vizitën e delegacionit në Kosovë, duke theksuar se bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara Arabe, që kanë ndihmuar Kosovën në periudhat më të rëndësishme të shtetformimit, është i një rëndësie të veçantë dhe ai duhet të thellohet në fusha të ndryshme, posaçërisht në atë të zhvillimit ekonomik. Ajo e vlerësoi në veçanti përkrahjen që Princi i kurorës i Abu Dhabit, Sheiku Mohammed bin Zayed Al Nahyan, vazhdon t’i japë Kosovës dhe mbështetjen e tij për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit në fushën ekonomike me Kosovën.
“Kosova ka potenciale të mëdha edhe natyrore dhe njerëzore dhe ofron një klimë të mirë dhe siguri për investime dhe biznes, posaçërisht në fushën e bujqësisë e të energjisë, por edhe në fusha të tjera”, u shpreh Jahjaga.
Kryesuesi i Departamentit të Zhvillimit Ekonomik të EBA-së, Ali Majed al Mansoori, tha se “është i nderuar që viziton Kosovën me ftesën e Presidentes Jahjaga dhe i vlerësoi shumë të mira marrëdhëniet mes dy vendeve. Ai tha se delegacioni është në një mision faktmbledhës, i përbërë nga përfaqësues të sektorëve të ndryshëm, me qëllim të gjetjes së fushave ku mund të ndërtohet dhe zgjerohet bashkëpunimi, me synim që ai të jetë afatgjatë”.
Vizita e delegacionit nga Emiratet e Bashkuara Arabe vjen pas takimit të fundit që Presidentja Jahjaga ka zhvilluar në Abu Dhabi me Princin e kurorës, Sheikun Mohammed bin Zayed Al Nahyan, me të cilin ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe për investimin e EBA në Kosovë, në fusha të ndryshme.
Gjatë vizitës nga 2-5 nëntor, delegacioni i EBA do të zhvillojë takime edhe me Kryeministrin Hashim Thaçi e përfaqësues të tjerë të qeverisë së Kosovës, institucioneve të pavarura ekonomike dhe përfaqësues të sektorit privat të Kosovës. Qëllimi i vizitës së këtij delegacioni është njohja me mundësitë dhe potencialet investuese në Kosovë