Javën tjetër nis zhvarrimi në Kizhevak, varreza masive ka trupa shqiptarë të vrarë në luftë

Gjykata e Lartë në Beograd ka dhënë leje për zhvarrimin e eshtrave të shqiptarëve të Kosovës nga varreza masive e zbuluar në Kizhevak dhe javën e ardhshme pritet fillimi i procesit. Koordinatori i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur Kushtrim Gara, thotë se momentalisht po kryhen përgatitjet logjistike.

Javën e ardhshme do të nisin gërmimet për nxjerrjen e eshtrave nga varreza masive e Kizhevakut në Serbi, ku dyshohet të jenë groposur shqiptarë të vrarë gatë luftës në Kosovë. Për fillimin e gërmimeve ka dhënë leje Gjykata e Lartë në Beograd.

Zbulimi i vendndodhjes së varrezës u bë pas analizimit të fotografive satelitore nga EULEX-i. Zyrtarët e Misionit Europian për Sundimin e Ligjit, thonë se më pas procesi i identifikimit të viktimave do të jetë i gjatë dhe i vështirë.

Koordinatori i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur Kushtrim Gara, i tha Radio Kosovës, se momentalisht në Kizhevak janë duke u bërë përgatitjet logjistike.

“Presim që shumë shpejt të kemi datën  e fillimit të gërmimeve, potencialisht është java e ardhshme”, tha ai.

Deri tani pala e Kosovës ka dërguar emrat e ekipit që do të marrë pjesë në gërmime dhe që do të jenë të pranishëm në të gjitha fazat e procesit të zhvarrosjes. Ndërkohë i gjithë procesi i gërmimeve do të bazohet në rekomandimet e delegacionit të ekspertëve mjeko-ligjorë të Kosovës.

Prishtina zyrtare shpreson që procesi i nxjerrjes së mbetjeve mortore nga kjo varrezë masive të ndihmohet edhe nga kushtet e motit.

Që nga viti 2001 në territorin e Serbisë, janë gjetur katër varreza masive me 941 trupa të shqiptarëve të vrarë në Kosovë.

Për herë të fundit, një varrezë masive është zbuluar në vitin 2013, në Rudnicë, në jugperëndim të Serbisë, pranë vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Jarinjë. Aty u gjetën mbetjet mortore të 52 vetëve.

SHKARKO APP