Joschka Fischer: Në Kosovë bëmë atë që duhej bërë, bombarduam Serbinë

Në një intervistë për televizionin gjerman ZDF ish-ministri i Jashtëm dhe ikona e të majtës gjermane Joschka Fischer flet për intervenimin në Kosovë.

Ndërhyrja e Gjermanisë në konfliktin e Kosovës mbetet ende temë që diskutohet shumë. Pjesa më e madhe e mediumeve serioze gjermane e mbështesin bombardimin e Serbisë për t’i dhënë fund krimeve në Kosovë kundër popullsisë shqiptare. Më shumë se 15 vjet pas bombardimeve televizioni publik gjerman ZDF për emisionin “Të takosh historinë” ka intervistuar ish-ministrin e Jashtëm Joschka Fischer. Ai ka deklaruar: “Unë kam qenë i bindur se po bëjmë atë që duhet bërë. Por nëse e kemi bërë si duhet atë që duhet bërë – kjo është çështje tjetër”.

Në emisionin “Kosova 99 – Ushtria gjermane në luftë” autori i emisionit Wolf-Christian Ulrich prezanton ngjarjet e atëhershme, të cilat ushtrinë gjermane e shndërruan nga ushtri mbrojtëse në ushtri sulmuese. Emisioni do të shfaqet më 11 shtator, në orën 19:30 në ZDFinfo.

Fischer ka treguar se nëse koalicioni i atëhershëm qeverisës do t’i kishte thënë jo pjesëmarrjes në luftën e Kosovës, atëherë ky do të ishte edhe fundi i koalicionit.

Në emision flet edhe Hans-Christian Ströbele, koleg partiak i Fischerit dhe kundërshtar i intervenimit.

Se si e kanë përjetuar njerëzit luftën në vitin 1999 tregojnë bisedat që Wolf-Christian Ulrich ka zhvilluar në Beograd dhe Prishtinë. Besa Luzha nga Prishtina e kishte përjetuar ndërhyrjen e NATO-s si çlirim, ndërsa Renate Flottau, korrespondente e atëhershme e revistës «Der Spiegel», tregon se si kishte përjetuar net të tëra me frikë dhe në shtëpi që dridheshin. Për luftën e Kosovës flet edhe koloneli Michael Krah, i cili ka qenë njëri prej pilotëve të avionëve «Tornado», të cilët morën pjesë në luftën e parë gjermane pas vitit 1945.

SHKARKO APP