Josep Borell telefonon Vuçiç dhe Thaçin, së shpejti viziton Beogradin dhe Prishtinën

Shefi i ri diplomacisë së BE-së, Josep Borell, ka zhvilluar biseda të ndara telefonike me presidentët e Serbisë dhe Kosovës, Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi, duke i njoftuar për vizitat në Beograd dhe Prishtinë në javët e ardhshme.

Temë e bisedimeve kanë qenë zhvillimet e fundit në Kosovë dhe në Serbi në përgjithësi, si dhe rëndësia e punës për të vazhduar dialogun Beograd-Prishtinë, tha Komisioni Evropian.

Beogradi zyrtar konfirmoi sot zyrtarisht se Presidenti serb Aleksandar Vuçiç pati një bisedë telefonike me shefin e çështjeve të jashtme dhe politikën e sigurisë të BE-së, Josep Borell, i cili njoftoi vizitën e tij të afërt në Beograd dhe Prishtinë për të shqyrtuar personalisht opsionet për rifillimin e dialogut pasi të formohet qeveria e re në Kosovë.

Sipas një deklarate të Zyrës së Presidentit serb, Vuçiç tha se Serbia, në përputhje me politikën e saj rajonale të paqes dhe stabilitetit, është e gatshme të vazhdojë dialogun nëse Prishtina heq masën e njëanshme të pajustifikuar dhe të papërgjegjshme të vendosjes së taksave për mallrat nga Serbia, e cila përveç ekonomisë serbe, kërcënon jetën e përditshme të serbëve në Kosovë.

SHKARKO APP