Kandidati për deputet arrestohet nga Policia e Durrësit

Policia e Kosovës ka konfirmuar se Sadri Ramabaja, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, është arrestuar nga policia e Shqipërisë, të premten në orët e mbrëmjes.

“Mund të konfirmojmë se personi me inicialet S. R., shtetas i Republikës së Kosovës, është ndaluar mbrëmë nga autoritetet e Shqipërisë në pikën kufitare dalëse të Durrësit. Këto informacione Policia e Kosovës i ka siguruar nga autoritet e Shqipërisë, me të cilat është në kontakt për procedurat e  mëtutjeshme lidhur me rastin”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Gazetën Express.

Ramabaja ishte person në kërkim, si i dyshuar për sulm terrorist dhe për nxitje të vrasjes së liderëve në Kosovë, do t’i dorëzohet Policisë së Kosovës.

Policia shqiptare ka bërë të ditur se Ramabaja ka tentuar ta lëshonte Shqipërinë, por është ndaluar pasi është zbuluar se ai është person në kërkim në Kosovë.

“Ramabaja është ndaluar nga Policia e Durrësit për verifikim dokumentesh. Por, dokumentet i kanë dalë në rregull. Ndërsa, nga verifikimi që i ka bërë Policia e Durrësit, ai rezulton se ka qenë i shpallur në kërkim në Kosovë”, ka shpjeguar Policia e Shqipërisë.

Ditë më parë, Ramabaja, nëpërmjet një letre publike, ka zbuluar se ai e kishte marrë një thirrje për intervisrë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Në thirrje shpjegohej se ai thirrej si i dyshuar për përfshirje në një sulm terrorist në Kosovë dhe për hartimin e planeve për vrasjen e liderëve shtetërorë.

Dyshimet e prokurorisë për Ramabajën kanë nisur pas rastit të plagosjes së Azem Vllasit, ish-funksionarit të lartë të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, tash avokat. Vllasi ishte plagosur më 13 mars të këtij viti. I dyshuari kryesor për tentim vrasjen e tij është Murat Jashari, një shqiptar nga maqedonia që jetonte në Zvicër.

Prokuroria e ka përfshirë Ramabajën në listën e të dyshuarve pasi i dyshuari kryesor për tentim-vrasje, Murat Jashari, kishte pasur takim me Ramabajën pak kohë para se ta kryente krimin.

Madje, i dyshuari Jashari, themelues ose njëri ndër themeluesit e organizatës ilegale “Syri i Popullit”, kishte thënë se ekziston një listë me emrat e personave që duhet të likuidoheshin. Në listë ishin liderët aktualë të Kosovës dhe ish-funksionarët komunistë në Kosovë. Në këtë listë ishin edhe emrat e presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeministrit Isa Mustafa, kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të shtetit.

Ramabaja ka zbuluar vetë se në mesin e të dyshuarve lidhur me të njëjtën vepër janë edhe pesë persona të tjerë. Në mesin e tyre edhe një deputete e Vetëvendosjes.

“Deri tani, nga kjo Prokurori, për këtë motiv, janë marrë në pyetje si të dyshuar: 1. Xhevat Bislimi (kryetar i Shoqërisë LËVIZJA); 2. Gafurr Elshani (avokat); 3. Emrush Xhemaili (është thirrë përmes telefonit, e natyrisht nuk I është përgjegjur thirrjes dhe pritet arrestimi I tij); Në këtë listë, si të dyshuar janë potencuar emrat e: 4. Muhamet Kelmendit (profesor univerasitar, ish nënkryetari i LPK) dhe  5. Ibrahim Kelmendi (njëri nga tre themeluesit e LPK-së,i vetmi I mbetur gjallë e në jetë)”, ka shkruar Ramabaja.

Në një letër të organizatës “Syri i Popullit” thuhej se do të hakmerret ndaj të gjithë atyre që e kanë marrë votën e popullit dhe asgjë nuk kanë bërë për popull, por janë korruptuar e pasuruar.

“Do të hakmerret mbi gjithë ata që në emër të luftërave çlirimtare janë pasuruar dhe për popull nuk kanë bërë asgjë”, shkruan ndër të letrën e organizatës “Syri i Popullit”. (r.m.)

SHKARKO APP