KEDS nis investimet për përmirësimin e rrjetit të furnizimit me energji elektrike
Në kuadër të investimeve, KEDS është duke bërë revizionimin e të gjitha linjave 10 kW që i përkasin tensionit të mesëm të rrjetit distributiv.
Ky investim, sipas zyrtarëve të kompanisë kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike, po bëhet për të rritur sigurinë e furnizimit me energji elektrike gjatë stinës së dimrit.
Zëdhënësi i KEDS, Viktor Buzhala, tha për KosovaPress se kjo po bëhet që konsumatorët të kenë shërbime sa më kualitative dhe faktorët e jashtëm, përfshirë kushtet atmosferike, të kenë sa më pak ndikim në furnizimin me energji elektrike.
Forcimi i rrjetit do të bëhet gjatë gjithë muajit gusht, ndërkohë që mund të ketë edhe ndërprerje deri në disa orë në linjat ku do të ketë ndërhyrje.
Ky proces, paralelisht me zvogëlimin e ndërprerjeve të paplanifikuara, ka ulur edhe humbjet, çka ka bërë që përfitimet për konsumatorë të jenë të shumanshme.
KEDS paralel me revizionimin, po vazhdon edhe me qindra projekte në të gjithë vendin për zgjerimin dhe forcimin e rrjetit. E gjithë kjo po bëhet në kuadër të masterplanit të investimeve për periudhën dhjetë vjeçare që parashikon kalimin e rrjetit në standardet më të larta.