Kelmendi ”hedh në tokë” mediet dashakeqëse, sukses në testin antidoping
Një tjetër sukses për Majlinda Kelmendi. Ku pas historisë si e para sportiste që i siguroi një medalje të artë olimpike shtetit të Kosovës, në sportin e xhudos në “Rio 2016”. Suksesi tjetër ka të bëjë me disa kritika, të cilët dyshonin për paraqitjen e saj, duke kaluar me sukses edhe testin për doping. Duke dashur që të hidhnin poshtë fitoren e pejanes, ajo u bë pre e një lajmi dashakeqës në arenën ndërkombëtare, teksa media të huaja njoftuan se në qershor të këtij viti xhudistja Kelmendi kishte refuzuar të kryente teste antidoping në Francë.
Kreu i Federatës kosovare të Xhudos, Agron Kuka, i ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet dashakeqëse dhe ka theksuar se bëhej fjalë për trillime të qarqeve të ndryshme që nuk ia donin të mirën sportit në Kosovë. Çdo gjëje ju vunë pikat fill pas fitimit të medaljes së parë të artë në Olimpiadën e Rio de Janeiros, teksa Kelmendi i është nënshtruar një testi antidoping.
Një burim i “Telegrafit” ka bërë të ditur se, xhudistja kosovare e ka kaluar me sukses testin e bërë në Brazil. “Menjëherë pas fitimit të medaljes, Majlinda është testuar për doping, ku ka rezultuar se është e pastër. Po të ndodhte e kundërta, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar do t’ia kishte hequr medaljen e artë deri më sot.
Edhe njëherë është dëshmuar se sportistet tona, pa kurrfarë substancash të ndaluara, arrijnë suksese”, ka thënë burimi në fjalë për “Telegrafin”. Mediat e para që nisën të publikohen të tilla lajme pa fakte e që mbanin veç synime dashakeqëse për Majlindën ishin hapur nga mediet serbe, të cilave iu ishin referuar edhe ato franceze e britanike. Tashmë, kampionia olimpike në xhudo pritet të kthehet në Kosovë gjatë së dielës, ku mësohet se do të pritet nga udhëheqësit kryesorë të institucioneve kosovare, por me shumë gjasë, edhe nga shumë qytetarë.