Kërcënon Vuçiç: Shqiptarë, mos guxoni të na sulmoni

Në konferencën e jashtëzakonshme për shtyp, kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç akuzoi Prishtinën për një plan të detajuar për të ndezur konflikt duke ndaluar trenin e nisur nga Beogradi drejt Mitrovicës.

“Nuk është as tank, as mjet ushtarak! Është një tren që synon të lidhë njerëz dhe qytete në përputhje me gjithë ligjet e botës dhe vlerat e Bashkimit Europian”, tha ai.

Sipas Vuçiç, forcat speciale të Kosovës u përpoqën të hedhin në erë hekurudhën, por plani u dështoi. “Pas kësaj, i dërguan në Jarinjë për të ndaluar trenin, arrestuar makinistët dhe pasagjerët e tij, duke shkaktuar një konflikt të hapur”, deklaroi kryeministri serb.

Ai tha se vendimi për të ndalur trenin në Rashkë ishte i tij, për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve. “Ndalimi i trenit në stacionin e Rashkës ishte vendimi im dhe jam krenar për këtë. Vendimi ishte për të shmangur dhunën, konfliktin, viktimat dhe për të ruajtur paqen”, u shpreh ai.

Kryeministri serb deklaroi se për këtë ka informuar Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini si dhe Rusinë e Kinën, ndërsa u bëri thirrje serbëve në Kosovë që të ruajnë qetësinë.

“Do t’i informojmë se Prishtina po provokon për luftë. U bëj thirrje të gjithë serbëve në Kosovë që të ruajnë qetësinë, ndërsa shqiptarëve u them që të mos provokojnë sepse Serbia nuk do të tolerojë”, deklaroi Vuçiç.

Reagimi i Beogradit vjen pas tensioneve që krijoi mes Serbisë dhe Kosovës nisja e një treni me simbolet “Kosova është Serbi”, nga Beogradi drejt Mitrovicës në Kosovës.

Treni duhet të mbërrinte sot në mbrëmje në Mitrovicë. Nga ajo që raportojnë mediat serbe, treni është ndalur në zonën e Rashkës pa hyrë në territorin e Kosovës.

Agjencia serbe e lajmeve, Tanjug thotë se treni ka ndalur dhe se në Jarinjë ndodhen forca të shumta të policisë së Kosovës, mbështetur nga mjete të rënda motorrike. Treni mban mbishkrimin “Kosova është Serbi”, mbishkrim që sipas Beogradit nuk është provokim.

Mediat kosovare bëjnë të ditur se trupat e KFOR-it do të ndalojnë hyrjen e trenit në territorin e Kosovës dhe disa prej tyre, duke cituar burime nga Presidenca, thonë se Presidenti Hashim Thaçi ka dhënë urdhër që trenit të mos i lejohet hyrja në Jarinjë. Më herët, policia e Kosovës ushtroi një kontroll të imtësishëm në gjurmët e hekurudhës pas raportimeve se në të ishte vendosur një sasi lënde shpërthyese. Zëdhënësi i Policisë për Mitrovicën e Veriut, Besim Hoti tha se nuk u gjet asnjë lëndë shpërthyese dhe se lajmi ishte i pasaktë.

SHKARKO APP