Kërkohet përjashtimi i profesorit të dyshuar për ngacmim sek*ual

Lëvizja Feministe Studentore ka paralajmëruar për të enjten protestë gjithë-ditore dhe bllokadë, duke kërkuar kështu largimin e profesorit Xhevat Krasniqi, i dyshuar për ngacmime seksuale të studentëve.
Në një njoftim të kësaj lëvizje thuhet të enjten nga ora 11:00, Këshilli i Etikës i UP-së do të mblidhet për të shqyrtuar edhe njëherë denoncimin për ngacmim seksual nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë ndaj profesori Xhevat Krasniqi, të cilin e ka trajtuar disa herë tashmë e për të cilin nuk ka marrë kurrfarë vendimi.
“Ne nuk do të rreshtohemi me neglizhencën institucionale të UP-së dhe mosprioritizimin e sigurisë së grave dhe vajzave përmes së cilave po normalizohet ngacmimi seksual në hapësirat e UP-së.

Shoqe e shokë, ndonëse tashmë kemi parë rezultate të rezistencës tonë, ne nuk do të tërhiqemi nga kërkesat tona. Ne nuk mjaftohemi me reagime indiferente e jo-serioze nga UP-ja, andaj deri në përjashtim të profesorit Krasniqi, ne vazhdimisht do të përshkallëzojmë rezistencën tonë”, thuhet në njoftim.
Më tej, në reagimin e tyre thuhet se të pakënaqur/a e të revoltuar/a me jo-profesionalitetin e Këshillit të Etikës, duke e trajtuar rastin në kundërshtim të plotë me procedurat dhe rregulloret e UP-së, përkrahin thirrjen për bojkotim të ligjëratave të planifikuara për të enjten në të gjitha fakultetet e UP-së.
“Ju ftojmë të na bashkoheni për bllokim të daljes së anëtarëve të Këshillit të Etikës nga ndërtesa e Rektoratit, deri sa të marrin një vendimi të drejtë e meritor për profesorin Krasniqi”, thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/

SHKARKO APP