Këshilltari i Hashim Thaçit: Japim Veriun e Mitrovicës, marrim Luginën e Preshevës
Më në fund fillon e zbardhet pazari Thaçi-Vuçiç. Blerim Shala, këshilltar politik i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme përfundimtare, mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel.
Ai ka vlerësuar, gjatë një paraqitjeje në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, se ia vlen të diskutohet me palën serbe për shkëmbimin e Luginës së Preshevës me veriun e Kosovës.
Më herët, këshilltari Shala ka treguar se presidenti Thaçi dikur mbante qëndrimin se shkëmbimi i territoreve me vendin fqinj është “shumë i rrezikshëm”. Por, ai ka theksuar se gjërat kanë ndryshuar në javët e fundit, përfshirë edhe ndryshimin e qëndrimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës rreth një shkëmbimi të mundshëm territoresh. Shala po ashtu ka komentuar edhe idenë për një rezolutë në Kuvendin e Kosovës për bashkimin e Luginës me Kosovën. Ai ka thënë se një gjë e tillë nuk do të ishte kundërkushtetuese, siç ka vlerësuar opozita e vendit.