KFOR sjell shefin e ushtrisë serbe në Kosovë, reagime në Prishtinë
Vizita e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe në Prishtinë, gjeneralit Dikoviç, i cili konsiderohet përgjegjës për krime lufte në Kosovë, ka shkaktuar reagime të ashpra në opinionin publik.
Vizita e Dikoviçit është cilësuar si fyerje e rëndë për viktimat e luftës në Kosovë, si dhe familjet e tyre, edhe nga Rrjeti i grupeve të Grave të Kosovës. Sipas këtij rrjeti, sjellja e Dikoviçit në Prishtinë është vendim i pamatur nga ana e KFOR-it.
Edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ka shkruar në rrejtin social Facebook se, kjo vizitë është fyerje dhe poshtërim për viktimat dhe për qytetarët e Kosovës.
Ndërsa presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, përmes rrjetit social Facebook ka shkruar se, Dikoviç u poshtërua sërish nga po të njëjtit ushtarë, që e nxorrën jashtë me bomba, duke parë një Kosovë, ku serbët nuk bëjnë më ligjin e aparteidit mbi shqiptarët.
Drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Natasha Kandiç është shprehur e befasuar, sesi KFOR-i e ka lejuar hyrjen në Kosovë të shefit të ushtrisë serbe, Lubisha Dikoviç, kur dihet se ai akuzohet për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë. Kandiç ka thënë se, qeveria e Kosovës duhet të mbrojë të drejtën e familjeve të viktimave në Kosovë.
Vizita e tij pati për qëllim nënshkrimin e marrëveshjes mbi procedurat e përkohshme operative, për relaksimin e plotë të Zonës së Sigurisë ajrore, me komandantin e KFOR-it, gjeneral-major Guglielmo Luigi Miglietta.
Lëvizja Vetëvendosje ka vlerësuar se, në planin ndërkombëtar dhe shtetëror, kalimi i kompetencave për kontrollin e hapësirës ajrore vet Republikës së Kosovës është çështje shumë e rëndësishme politike dhe ekonomike.
“Kjo zonë (25 km) ka qenë e përcaktuar në marrëveshjen tekniko-ushtarake të 2 gushtit 1999 dhe shtrihej përgjatë kufirit të Kosovës dhe Serbisë. Në njoftimin e sotëm zyrtar të KFOR-it, kufiri shtetëror Kosovë-Serbi cilësohet si kufi administrativ, sikur të ishim ende në gushtin e 1999-s dhe nuk ka ndodhur as shpallja e Pavarësisë, as përfundimi i mbikëqyrjes së Pavarësisë së Kosovës”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.