Kim Mehmeti: Kosova, një shtet për qytetarët, jo për politikanët

Shkrimtari i njohur Kim Mehmeti ka uruar sot Lëvizjen Vetëvendosja për fitoren e zgjedhjeve. Në një mesazh në rrjetet sociale, Mehmeti shprehet se Kosova do të mbetet djepi i patriotizmit shqiptar.

Lidhur me sfidat që ka përpara Vetëvendosja, Mehmeti shprehet se asaj i është dhënë mundësia të dëshmojë se çka e dallon partinë që i shërben popullit e shtetit nga ajo që i sundon ato.

Mesazhi i Kim Mehmetit: “Urime fitoren Kosovë! Edhe pse të njollosën me korrupsion, edhe pse të lënduan rëndë duke shkelur mbi ëndrrat e rinisë tënde, edhe pse të bënë të dukesh se nuk ia del ta jetosh lirinë, megjithatë ty të ka hije Pavarësia dhe do mbetesh gjithmonë ajo që ke qenë – boshti i patriotizmit shqiptar!
Dhe Lëvizja Vetëvendosje ka mundësinë të bëhet fytyra e mençurisë politike mbarëshqiptare, por vetëm nëse arrin që Kosovën ta bëjë atë që të gjithë e ëndërronim – shtet të mirë për qytetarët, e jo për politikanët.
Pra VV i është dhënë mundësia të dëshmojë se çka e dallon partinë që i shërben popullit e shtetit nga ajo që i sundon ato. Dhe pa dyshim se kryetari i VV do i tregojë mbarë shqiptarisë se çka e dallon politikanin që i është përkushtuar idesë dhe të mirës kombëtare, nga ata që të mirën dhe fatin e popullit, e barazojnë me karrierën e tyre politike dhe me mirëqenien e vet personale!”

SHKARKO APP