Kishte planifikuar një sulm terrorist në një shkollë në Pejë, arrestohet 16-vjeçari

Autoritetet gjyqësore në Kosovë njoftuan se kanë arrestuar një person që dyshohet se ishte përgatitur që të kryente një “sulm të gjerë ndaj disa nxënësve të një shkolle në Pejë”. Prokuroria Speciale tha se i dyshuari B.M, 16 vjeç, për disa muaj kishte bërë plane dhe përgatitje për këtë sulm.

“Me këto veprime i pandehuri B.M. do të kryente veprën penale ‘Përgatitja e veprave terroriste ose veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës’”, u tha në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Prokuroria bëri të ditur se gjykata kompetente ka miratuar kërkesën e tyre dhe ndaj të dyshuarit është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. Sipas Kodit Penal të Kosovës, kushdo që përgatit kryerjen e një vepre terroriste mund të dënohet nga pesë deri në 20 vjet burgim.

Njoftimi i plotë

Ndalohet një person për veprën penale ‘’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’

Prishtinë, 8 tetor 2023 –  Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se është ndaluar i pandehuri me inicialet B.M. për shkak se në periudhë kohore disamujore ka bërë plane dhe është përgatitur për ndërmarrjen e një sulmi të gjerë ndaj disa nxënësve të një shkolle në Pejë.

Me këto veprime i pandehuri B.M. kishte për të kryer veprën penale ‘’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’, nga neni 138 lidhur me nenin 129 të Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Prokurori i Prokurorisë Speciale, gjatë ditës së sotme ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, si dhe, ndaj të njëjtit Gjykata kompetente ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

SHKARKO APP