Klosi në Kosovë: Bashkëpunim për punësimin, nënshkruhet marrëveshja për rininë

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Kosovë, ku dhe është takuar me zyrtarët më të lartë kosovarë, kryeministrin Isa Mustafa, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Shala, si dhe homologun e tij, ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.

 

Në takimin që pati me kryeministrin Mustafa u bisedua për progresin e deritashëm dhe mundësitë e avancimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve në fushën e punësimit, mirëqenies sociale dhe rinisë. Sipas njoftimit zyrtar të zyrës së Kryeministrit kosovar bëhet e ditur se Mustafa e njohu Klosin me arritjet në Kosovë në të gjitha fushat, me theks të veçantë mbi reformat dhe prioritetet e qeverisë, që lidhen me zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës, forcimin e shtetit ligjor, si dhe reformat në arsim e shëndetësi. Kryeministri Mustafa po ashtu theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të zgjeruar bashkëpunimin me Shqipërinë në proceset zhvillimore ekonomike e sociale, që lidhen dhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ngritjen e mirëqenies dhe punësimit në të dyja shtetet. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i Shqipërisë, Blendi Klosi, ndërsa e falënderoi kryeministrin Mustafa për pritjen, shprehu përkushtimin e Qeverisë së Shqipërisë për thellimin e bashkëpunimit me Qeverinë e Kosovës në të gjitha fushat, duke përfshirë aspektet prioritare që lidhen me punësimin, mirëqenien sociale e rininë.

Ndërkohë që kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli kërkoi që raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë duhet të lëvizin përtej shprehjes verbale të dashurisë vëllazërore dhe të hyjnë në fazën e bashkëpunimit konkret ekonomik. Ndërsa ministri Klosi e njohu kryeparlamentarin Veseli me disa projekte konkrete në fushën e politikave sociale, në unifikimin e programeve të shkollave profesionale, të cilat do të krijonin një treg të përbashkët të punës mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Në takimin me zëvendëskryeministrin e parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është diskutuar për projektet e përbashkëta në shërbimet sociale, për tregun e punës dhe ofrimin e nismave komplementare në fusha me interes të ndërsjellë. “Kosova dhe Shqipëria nuk kanë kurrfarë pengese në bashkëpunim, por këtë duhet ta thellojmë edhe më shumë në rrafshin praktik, sepse vullneti dhe gatishmëria nuk kanë munguar asnjëherë”, – ka thënë Thaçi. Ministri Klosi theksoi se vendet tona kanë nevojë për axhenda të përbashkëta për skemat sociale. “Është e nevojshme që të praktikojmë shërbime dhe skema të njëjta aty ku mundemi, si për të moshuar, ashtu edhe për tregun e punës, duke u ofruar trajnime të interesuarve, në përputhje me nevojat e bizneseve”, – tha ministri Klosi.

Po ashtu gjate qendrimit te tij ne Prishtine, ministri Klosi ka firmosur edhe marreveshjen e bashkepunimit ne fushen e rinisë me ministrin  Kujtim Shala, zëvendëskryeministëër, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe i Sportit i Republikës së Kosovës. Kjo marrëveshje hap dritën jeshile të bashkëpunimit të të rinjve të të dyja vendeve me qëllim përgatitjen për tregun e punës, përfshirjen në vendimarrje, edukimin kulturor e profesional.

SHKARKO APP