Koalicion me LDK? Tahiri: Mustafa sheh ëndrra çdo natë!
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se koalicioni me PDK-në është ëndrra që kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e sheh çdo natë.
Sipas tij, Mustafa është mësuar me humbjen e zgjedhjeve.
“Këto që janë në prag, s’janë asgjë tjetër veçse zgjedhjet e katërta me radhë që do t’i humbë si Kryetar i LDK-së. Paniku për t’i ikur realitetit që e pret, po ia shpërfytyron racionalitetin, duke e marrë PDK-në si referencë”, ka shkruar Tahiri.
Mesazhi i plotë:
Që kur ka arritur demokracia, Isa Mustafa është mësuar me humbjen e zgjedhjeve. Këto që janë në prag, s’janë asgjë tjetër veçse zgjedhjet e katërta me radhë që do t’i humbë si Kryetar i LDK-së.
Paniku për t’i ikur realitetit që e pret, po ia shpërfytyron racionalitetin, duke e marrë PDK-në si referencë. Isa Mustafa dhe LDK-ja në tërësi, duhet ta kuptojnë që ka jetë edhe pa PDK-në dhe nuk është nevoja që të kapen pas PDK-së pafundësisht.
“Arnimi i qeverisë” me PDK-në është ëndrra që Isa Mustafa e sheh çdo natë, por zgjedhjet që po na presin, do t’ia shkundin edhe këtë ëndërr.