Kodi telefonik +383, ja përfitimet që do t’i sjellë Kosovës

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka vlerësuar se Kodi telefonik +383 është një arritje e madhe për Kosovës dhe se para marrëveshjeve politike, duhet të bëhen ma-rrëveshje ekonomike që do të jenë bazament për bashkëpunim të ndërsjellët.

“Pas një kohe të gjatë të dialogimit, është arritur një marrëveshje, kjo ka rëndësi ekonomike dhe juridike, dhe ndërkombëtare. Dhe mbi të gjitha është një momentum i ri, përmes këtij kodi do të ketë mbrojtje të telefonisë në Kosovë”, ka thënë ai.

Sipas tij, me këtë kod do të vihet në rregull dhe do të eliminohen operatorët ilegalë dhe ata që janë ilegalisht duhet që të akreditohen dhe të punojnë sipas ligjeve të Kosovës.

“Është një e arritur në Kosovë, një e mirë për të pasur ambient më të suksesshëm biznesor, të motivimit të brendeve më të njohura që të vijnë dhe të operojnë në Kosovë”, ka thënë ai për “RTKlive”.

Gërxhaliu ka thënë se Kosova duhet që të avancojë dialogun. “Kosova duhet që të punoj që marrëveshjet ekonomike t’i paraprijnë atyre politike, prandaj është koha në këtë proces të inkuadrohen ekspertizë shkencore dhe me transparencë të plotë”, ka thënë ai.

Kurse eksperti i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, ka thënë se gjithçka duket mirë, nëse prapa kësaj nuk fshihet ndonjë “befasi”, si di të krijojë Serbia.

“Ndonëse duket paksa hap i ngutshëm licencimi i një operatori, megjithatë, është krejt në rregull nëse ai licencohet sipas ligjeve të Republikës së Kosovës dhe i nënshtrohet të gjitha detyrimeve ligjore, si edhe të gjithë operatorët e tjerë në vend’, ka thënë Rexhepi për “RTKlive”.

Sipas tij, nëse nuk ndodh kjo, atëherë do të kemi një operator të licencuar për që nuk respekton ligjin.

“Autoritetet kosovare këtë nuk duhet ta lejojnë. Të ndërmerren masa ndaj secilit që nuk respekton ligjin, qoftë edhe me suprimim të licencës”, ka thënë ai.

Rexhepi ka vlerësuar se Kosova fiton shumë nga aspekti ekonomik.

“E para, ajo hyn si shtet në nomenklaturën e komunikimeve ndërkombëtare, e dyta, lirohet nga pagesa e detyrimeve financiare që kishte për shkak të huazimit të kodeve të huaja telefonike dhe e treta, me kod të vet telefonik, mund të rregullojë tregun dhe konkurrencën në vend”, ka thënë Rexhepi.

 

 

 

SHKARKO APP